Zjarre masive kanë përfshirë Kilin qendror dhe jugor, duke shkaktuar deri më tani vdekjen e të paktën 20 personave, ndërsa mijëra hektarë pyje janë shkrumbuar dhe dhjetëra shtëpi janë shkatërruar nga flakët.
Zjarret shpërthyen të shtunën dhe u përhapën me shpejtësi për shkak të temperaturave ekstreme dhe erërave të forta që arritën deri në 70 kilometra në orë, veçanërisht në rajonet e Ñuble dhe Biobío, rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago.
Presidenti kilian, Gabriel Boric, shpalli këto dy rajone në gjendje të jashtëzakonshme, me qëllim forcimin e koordinimit mes qeverisë dhe ushtrisë për të përballuar dhjetëra vatra zjarri, në një kohë kur vendi po përballet me një valë të fortë të nxehti.
“Ne kemi arritur të kontrollojmë ose të përmbajmë disa nga zjarret, por disa mbeten shumë aktive dhe po luftojmë një betejë intensive”, deklaroi presidenti Boric gjatë një vizite në rajonin e Ñuble.
Sipas Ministrit të Sigurisë së Kilit, Luis Cordero, deri më tani janë djegur rreth 85 mijë hektarë dhe mbi 50 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga banesat e tyre. Përpjekjet e zjarrfikësve vijojnë pa ndërprerje, por kushtet e vështira atmosferike, erërat e forta dhe temperaturat që në disa zona kanë kaluar 38 gradë Celsius, po e bëjnë ndërhyrjen tepër të vështirë.
Numri i saktë i banesave të shkatërruara ende nuk është konfirmuar, por autoritetet lokale në një komunë të Concepción, në rajonin Biobío, raportuan se 253 shtëpi janë shkatërruar plotësisht.