Khloé Kardashian ka deklaruar se nuk ka më asnjë kontakt me ish-bashkëshortin e saj Lamar Odom, duke theksuar se marrëdhënia mes tyre ka përfunduar përfundimisht.
Gjatë episodit të fundit të podcast-it të saj Khloé in Wonder Land, ajo tha se nuk ka komunikuar më me Odom, pas komenteve që ai bëri së fundmi në media.
“Nuk kam dëgjuar asgjë prej tij. Çfarë do të thoshte?” u shpreh Kardashian, duke shtuar se sipas saj, ai ka vazhduar me deklarata negative.
Debati mes tyre nisi pasi Odom, gjatë promovimit të dokumentarit të tij Untold: The Death & Life of Lamar Odom, minimizoi rolin e Khloé në rikuperimin e tij pas mbidozës së vitit 2015, duke ia atribuar shpëtimin Zotit.
Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga Kardashian, e cila tha se ndihet e “përdorur” dhe e zhgënjyer.
Në bisedën me nënën e saj Kris Jenner, Khloé u tregua e prerë: “Nuk do të flasim më me të. Ura është djegur dhe nuk kam më asgjë për të dhënë.”
Ajo shtoi se ishte e habitur nga qëndrimi i Odom, duke qenë se ai gjithmonë ka vlerësuar marrëdhënien me familjen Kardashian-Jenner.
Kardashian theksoi se kishte marrë pjesë në dokumentarin e tij si një favor, por më pas u ndje e tradhtuar nga mënyra si ai foli për të.
“Ndjehem budallaqe që u përfshiva,” pranoi ajo, duke shtuar se nuk ka ndërmend të merret më me çështje që lidhen me ish-bashkëshortin.