Këshilltari i Kurtit thotë se Serbia po e “kushtëzon” zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA

Serbia është duke e kushtëzuar zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA, Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, ka thënë të enjten Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Zulfaj tha se “ka një zgjidhje kompromisi” pas disa vjetëve bllokimi në CEFTA, por e akuzoi Serbinë se ka vënë kushte për këtë.

Vendimmarrja në CEFA e cila ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor është bllokuar për shkak të mospajtimeve të Kosovës në lidhje me përfaqësimin e saj në këtë mekanizëm.

“Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura”, tha ai.

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Zulfaj tha se vendimi për ndalimin e mallrave serbe “nuk ka të bëjë me tregtinë”, por “me kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë”.

“Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se kryeministri Kurti “nuk pranoi kompromise” për CEFTA-n gjatë një takimi të enjten më të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

“Manuel Sarrazin e vizitoi Kosovën përsëri për t’i kërkuar Albin Kurtit kompromise për CEFTA-n, që do të mundësonin më shumë liri për qytetarët, do ta zëvendësonin UNMIK-un (me Kosovën) në bord, por nuk kishte sukses”, tha Rohde.

Gjatë një vizite në rajon në fund të gushtit, Sarrazin tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosova dhe Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe koncesione jo të lehta.

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitin 2007 dhe përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Autoritetet kosovare tani kërkojnë që të përfaqësohen si shtet jo përmes misionit të OKB-së.

Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Në vitin 2006, këto gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor nënshkruan këtë marrëveshje me qëllim për eliminimin e detyrimeve doganore dhe pengesave të tjera për tregtinë e ndërsjellë./REL

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top