Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka refuzuar kërkesën e Argita Berishës dhe Jamarbër Malltezit për heqjen e sekuestrove mbi pasuritë e tyre, të vendosura në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e njohur “Partizani”. Vendimi u mor nga gjyqtarja Elsa Ulliri, e cila vendosi të lërë në fuqi masën e sigurimit pasuror, duke e konsideruar të ligjshme “ngrirjen” e disa pasurive të dhëndrit dhe vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në këtë çështje janë të pandehur gjithsej pesë persona: ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, si dhe Andia Pustina dhe Xhimi Begeja. Çështja do të gjykohet nga magjistratja Elsa Ulliri, e cila u përzgjodh pas hedhjes së shortit. Anëtarë të trupës gjykuese janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi. Prokuroria ka ngritur ndaj Berishës akuzën për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa ndaj Jamarbër Malltezit rëndojnë akuzat për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, akuzohen për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, lidhur me veprimtarinë e kompanisë “Homeplan”.