Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash. Në një video live në Facebook, Rama thotë se gjykatësit sot “janë vetë zot dhe vetë shkop”. Rama theksoi se gjykatësit duan t’i imponohen parlamentit dhe qeverisë, dy pushteteve të tjera.
“GJK publikoi para pak ditësh regjistrimin e seancës ku gjykatësit, dy shoqata gjykatësish edhe ato me probleme ligjore, kërkuan nga GJK që t’ju rrisë pagat. Tani, po ta dëgjosh atë regjistrimin të publikuar nga seanca, ndihesh në vështirësi të madhe duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë dhe japin drejtësi, ndërkohë që filli i logjikës së atyre që u ballafaquan me GJK lë tejet për të dëshiruar. Këtu nuk është çështje personash. Në Shqipëri pagat e gjykatësve sot siç janë, janë të njëjta me pagat e gjykatësve në Greqi dhe janë dyfish më të larta sesa pagat e gjykatësve në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi”, tha Rama.
Sipas Ramës është absurde që të kërkohet rritje rroge nga 1800 deri në 3000 euro. Ndërsa në këtë iniciativë tha se bëjnë përjashtim gjykatësit e SPAK.
“I ngritën mbi presidentin dhe mbi gjithë të tjerët për t’i dhënë një sinjal të vullnetit për të pasur jo vetëm një drejtësi të pavarur, por edhe gjykatës që të ndihen të respektuar, duke marrë paga super, ky thotë ta bëjmë tani përgjithmonë. Pra Shqipëria të mbetet i vetmi vend përjetësisht ku gjykatësit të marrin paga më të larta se të tjerët, mbi presidentin. Çfarë kërkojnë gjykatësit? 1800 euro rritje për gjyqtarin e shkallës së parë, 2000 euro rritje për gjyqtarin e Apelit dhe rreth 3000 mijë euro rritje për gjykatësit e SPAK-ut, plus BKH. Duhet thënë në fakt që SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde dhe kjo i bën respekt. Këtu jemi. Jemi në një situatë kur gjykatësit duan të imponohen mbi parlamentin, mbi qeverinë dhe dy pushtetet e tjera dhe duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë tha se shpreson që “Gjykata Kushtetuese mos t’ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe të mos na bëjë të kërkojmë ilaçe të tjera”.