Në momentin më delikat të sezonit, me kualifikimin në Champions League seriozisht në rrezik pas humbjes ndaj Atalantës dhe me një ambient tashmë të konsumuar nga tensionet, Milan rrezikon të përballet me një përçarje të rëndë të brendshme. Jo vetëm rezultatet, jo vetëm protesta e tifozëve kundër Giorgio Furlani dhe pronësisë amerikane. Brenda Milanellos, sipas asaj që raporton Corriere della Sera, raporti mes teknikut Massimiliano Allegri dhe Zlatan Ibrahimovic ka mbërritur në pikën e thyerjes.
Trajneri nga Livorno, i rikthyer në pankinën kuqezi me entuziazëm pas titullit kampion të fituar në vitin 2011, tashmë duket i lodhur. Forma e skuadrës ka rënë ndjeshëm: vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, ajo në Verona, ndërsa fundi i kampionatit është kthyer në një garë me pengesa. Por problemi më i thellë nuk do të ishte vetëm fusha. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për klimën e brendshme, të karakterizuar nga grupime, keqkuptime dhe role gjithnjë e më të paqarta.
Përplasja pas Napoli-Milan dhe ftohja me Ibrahimovic
Kriza mes teknikut Allegri dhe Ibrahimovic shpërtheu pas humbjes së Milan kundër Napolit, në fillim të prillit. Shkaku i debatit duket pothuajse paradoksal: zgjedhja e portierit të tretë për skuadrën e sezonit të ardhshëm. Një çështje dytësore, por e mjaftueshme për të prishur një ekuilibër tashmë të brishtë.
Sipas rindërtimit të bërë nga Monica Colombo, mes të dyve pati përplasje të ashpra verbale. Që nga ai moment, Ibrahimovic nuk do të ishte parë më në Milanello, duke u rikthyer në “San Siro” vetëm së fundmi. Një sinjal i fortë, pasi suedezi nuk është një figurë çfarëdo: sot ai është Senior Advisor i RedBird dhe pesha e tij brenda klubit duket se do të rritet edhe më shumë.
Raporti mes tyre nuk ka qenë kurrë i thjeshtë, madje as kur Ibra ishte ende futbollist i drejtuar nga Allegri. Suedezi, vite më vonë, kishte treguar për përplasjen e fortë me trajnerin pas Arsenal-Milan të vitit 2012: “Kishim humbur 3-0 me Arsenal dhe Allegri ishte shumë i lumtur. Është e vërtetë që kishim kaluar turin, por nuk kishte asgjë për të qeshur dhe ia thashë. Allegri mu përgjigj: ‘Ti Ibra mendo për veten, se ke bërë një m*t’. Unë i thashë se mu*in e kishte bërë ai: nga frika kishte marrë dy portierë në stol…”.
Telefonata me Leao dhe Fofana dhe çështja Cassano
Për ta përkeqësuar situatën, gjithmonë sipas rindërtimit të gazetës, do të kishin ndodhur edhe episode të tjera. Allegri kishte zbuluar kontaktet e shpeshta mes Ibrahimovic dhe ish-sulmuesit Antonio Cassano, një prej kritikëve më të ashpër të mënyrës së tij për ta konceptuar futbollin, shpesh të shprehura gjatë emisionit në Twitch “Viva el Futbol”.
Jo vetëm kaq. Ibra, pas rënies së formës së Milanit, kishte nisur të telefononte drejtpërdrejt disa futbollistë, mes tyre Rafael Leao dhe Fofana, duke u dhënë këshilla taktike. Një ndërhyrje që Allegri nuk do ta kishte pritur mirë, sidomos në një moment kur skuadra kishte nevojë për referenca të qarta dhe jo për mbivendosje të tjera.
Rreziku, në një kontekst të tillë, është i dukshëm: një trajner që përpiqet të mbrojë grupin, një drejtues që ndërhyn te lojtarët, një klub i kontestuar dhe një drejtor sportiv, Igli Tare, i perceptuar gjithnjë e më i dobët brenda dinamikave të klubit.

Allegri mund të largohet nga Milan edhe nëse arrin në Champions
Fundi i sezonit bëhet kështu vendimtar jo vetëm për renditjen, por edhe për të ardhmen e pankinës. 58-vjeçari nga Livorno publikisht ka zgjedhur tone pajtuese: “Qëllimi im është të qëndroj sa më gjatë të jetë e mundur”. Por pas kësaj deklarate, e dobishme kryesisht për të mbrojtur skuadrën, skenari duket ndryshe.
Nëse Ibrahimovic do të bëhet vërtet njeriu më i fuqishëm i Milanit të ri, Allegri mund të vendosë ta mbyllë eksperiencën e tij të dytë kuqezi pas vetëm një sezoni. Në sfond mbetet edhe pista e Kombëtares italiane, me emrin e trajnerit të lidhur me pankinën e Italisë. Ndërkohë Milani duhet ende të sigurojë Champions League. Por problemi është se ndeshja më e vështirë tashmë duket se është ajo e brendshme.