Bylis – Elbasani 3-2, trigolëshi i Mustaphas rrëzon verdheblutë
Surpriza e javës së 17-të në Superiore erdhi nga Ballshi, ku Bylisi mposhti Elbasanin me rezultatin 3-2. Ndeshja u vendos nga një paraqitje e jashtëzakonshme e Ibrahim Mustaphas, i cili realizoi të tre golat për vendasit. Sulmuesi nigerian shënoi një herë në fundin e pjesës së parë dhe dy herë në fillimin e së dytës, duke përmbysur fatet e takimit. Për Elbasanin realizuan Loukli dhe Tsague, por pa mundur të shmangin humbjen. Me këtë ndalesë, skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenovic lëshon kryesimin e renditjes.
Tirana – Vllaznia 1-1, tre penallti në një pjesë, Balaj gabon fitoren
Në kryeqytet, Tirana dhe Vllaznia u ndanë në paqe me rezultatin 1-1, në një përballje të shoqëruar me shumë polemika. Arbitri Enea Jorgji akordoi tre penallti vetëm në pjesën e parë. Një për bardheblutë dhe dy për shkodranët. Rafa ishte i saktë nga pika e bardhë për Tiranën. Ndërsa Bekim Balaj realizoi vetëm njërën nga dy penalltitë për Vllazninë, duke humbur mundësinë e fitores.
Pas këtij barazimi, Tirana ngjitet në 9 pikë, por vijon të mbetet në fund të tabelës, ndërsa Vllaznia, me 27 pikë, ruan pozicionin e katërt.