Kaos nga festimet në Francë/ Mbi 400 të arrestuar pas triumfit të PSG në Champions

Fitorja e Paris Saint-Germain ndaj Arsenalit në finalen e Champions League është shoqëruar me përplasje të dhunshme mes tifozëve dhe policisë në disa qytete të Francës.

Mbi 400 persona janë arrestuar, pjesa më e madhe në Paris, ku mijëra efektivë policie u vendosën në terren për të frenuar trazirat pas ndeshjes.

Pas triumfit të PSG me penallti, mijëra tifozë mbushën Champs-Élysées, ndërsa në rrugët e kryeqytetit francez u hodhën fishekzjarre dhe flakadanë. Pamjet nga Parisi tregojnë biçikleta elektrike të djegura, xhama dyqanesh të thyer dhe përplasje mes turmave dhe forcave të rendit.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në qendër të qytetit. Sipas autoriteteve, gjatë trazirave u dëmtuan gjashtë automjete, dy biznese dhe një stacion autobusi. Shtatë efektivë policie mbetën të plagosur.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, i cilësoi trazirat “absolutisht të papranueshme”, ndërsa tha se autoritetet kishin ngritur një sistem të fortë sigurie për të shmangur përsëritjen e dhunës së vitit të kaluar, kur festimet e PSG përfunduan me viktima.

Deri në orët e para të së dielës, policia kishte arrestuar 416 persona, përfshirë 280 vetëm në Paris.

Reagime ka pasur edhe nga politika. Liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, shkroi në X se “vetëm në Francë fitorja e një klubi futbolli shkakton trazira”.

Pavarësisht dhunës, lojtarët e PSG pritet të marrin pjesë në një paradë fitoreje në Paris, me një ceremoni pranë Kullës Eiffel dhe një pritje nga presidenti Emmanuel Macron.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top