Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Dinamos dhe siguroi vendin e në Final 4. Tekniku Thomas Brdaric u shpreh: “Lojtarët e merituan fitoren, por edhe patën pak fat. Kemi investuar shumë për këtë fitore dhe urime klubit që shkuam në “Final Four”. 20 minutat e para më pëlqyen, por bëmë shumë gabime taktike dhe e lamë kundërshtarin për të pasur shumë shanse. Në pjesën e dytë ndryshuam dhe patëm më shumë stabilitet. Patëm fat që nuk pësuam një gol dhe ne fituam, është një rezultat i mirë dhe jam i lumtur për zëvendësimet dhe nuk tregon që kemi vetëm 11 lojtarë”.
Brdaric, në fitoren e dytë radhazi, vlerësoi punën e Qatip Osmanit të shkarkuar dy javë më parë: “Kjo është një punë e trajnerit më përpara, ai ka punuar shumë për këtë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Të gjithë kanë një përgjegjësi të madhe në fushë por duhet të punojmë më shumë dhe kemi sa më shumë punë për të bërë. Sot ne jemi shumë të kënaqur që kemi arritur në “Final Four”, por kemi edhe 2 ndeshje dhe gjithçka mund të ndodh” përfundoi Brdaric.
MEHMETI: “NJË KAMPIONAT I ÇMENDUR”
“Është një kampionat i çmendur, më vjen keq, sepse në 2 javët e fundit kemi prodhuar shumë lojë. Duhet të menaxhonim më mirë situatat, rastet ishin flagrante. Ishim superiorë në menaxhimin e lojës. E shkelëm shumë zonën e kundërshtarët, patëm situata të mira për të shkuar te goli. Duhet të ishim më të kujdesshëm, është mungesë experience”. Dritan Mehmeti nuk mund të jetë i kënaqur për rezultatin, por të paktën ka ruajtur vendin e katërt.
Tekniku i Dinamos pret reagimin e skuadrës, që nuk fiton prej tre javësh: “Një barazim sot do të na dërgonte më afër “Final 4”. Falenderoj çunat për atë çka dhanë dhe duhet të kenë besim, nuk duhet ta kthejnë fitoren në problem. Ndjejnë shumë rastet e humbura. Në qoftë se do të realizonim do të ishte diçka tjetër, do t’i kishim ne mundësitë për të shkuar drejt fitore. Po nuk shënove do të pësosh, është një shprehje. Duhet të ngrihemi për 2 javët e mbetura”.