Kamberi: Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Serbi, në garë për të tretin

Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe mbetet në garë për të tretin, njoftoi bartësi i listës, Shaip Kamberi, duke iu referuar rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Sipas Kamberit, lista e përbashkët e tetë partive shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka marrë 27.230 vota. Të njëjtat shifra i publikoi edhe Ardita Sinani. Të dy e cilësuan rezultatin si “arritje historike”.

“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, shkroi Kamberi në Facebook.

Nëse konfirmohen, dy mandatet do ta rrisnin përfaqësimin e komunitetit shqiptar krahasuar me përbërjen e kaluar të Kuvendit, kur Kamberi ishte deputeti i vetëm shqiptar.

Kamberi dhe Sinani falënderuan votuesit e tri komunave, partitë shqiptare për bashkimin dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes për listën e përbashkët.

Tetë partitë garuan së bashku pas vitesh përçarjesh dhe rivalitetesh, me synimin për të fituar tri mandate. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Kurtit.

Më herët gjatë mbrëmjes, pas mbylljes së vendvotimeve, Kamberi kishte thënë për transmetuesin publik të Kosovës se koalicioni synonte dy mandate. Ai e lidhi vështirësinë për sigurimin e mandatit të tretë me pasivizimin e adresave të shqiptarëve.

Partitë e koalicionit janë zotuar për veprim të përbashkët edhe pas zgjedhjeve. Prioritetet e tyre përfshijnë përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, zhvillimin ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe përdorimin zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare shqiptare.

Përfaqësuesit shqiptarë prej vitesh ankohen për diskriminim në punësim, arsim dhe përfaqësim institucional. Autoritetet serbe i mohojnë këto akuza. /Radio Evropa e Lirë

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top