Katër persona vdiqën kur një varkë që dyshohet se mbante emigrantë të paligjshëm u përmbys në brigjet e Kalifornisë. Ndërsa katër të tjerë u dërguan në spital dhe një i dyshuar u arrestua dhe u mor në pyetje në lidhje me incidentin. Disa nga personat e shpëtuar e identifikuan veten si meksikanë, ndërsa kombësia e të tjerëve mbetet e paqartë.
“Ekipet tona dhe ato të agjencive tona partnere reaguan menjëherë, por ky incident nxjerr në pah rreziqet serioze me të cilat përballen të huajt që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga deti në anije të pasigurta”, tha Robert Tucker, komandanti i Rojës Bregdetare në San Diego.
Mediat e huaja shkruajnë se mijëra emigrantë të paligjshëm kërkojnë të arrijnë në Shtetet e Bashkuara përmes Meksikës, në një përpjekje për t’i shpëtuar varfërisë, dhunës dhe krizave politike në vendet e tyre të lindjes.
Çdo vit qindra humbasin jetën në rrugën e rrezikshme tokësore në veri, ndërsa numri i emigrantëve të paligjshëm që përpiqen të arrijnë në Shtetet e Bashkuara nga deti, në anije të mbingarkuara dhe të rrezikshme, është rritur gjithashtu.