Kakhaber Kaladze sot, në moshën 47-vjeçare, është kryetar i bashkisë së Tbilisit, kryeqytetit të Gjeorgjisë. Ish-mbrojtësi i Milanit, pasi vari këpucët në gozhdë në vitin 2012 pas sezonit të fundit me Genoan, nisi menjëherë karrierën politike: fillimisht zëvendëskryeministër i vendit të tij nga 2012 deri në 2017, më pas, nga tetori i po atij viti, kryetar i Tbilisit, post që është rinovuar dy herë, në 2021 dhe në 2025. Kaladze shpjegon se ka pasur një mësues të madh në këtë drejtim, pikërisht presidentin e tij te Milani, Silvio Berlusconin, i cili në atë kohë ishte thellësisht i angazhuar në politikë.
Drama e luftës ruso-gjeorgjiane, Kaladze e Berlusconi
Ka një episod që ish-mbrojtësi me klubin kuqezi (një Scudetto dhe dy Liga të Kampionëve në palmares, përveç trofeve të tjerë) nuk mund ta harrojë. Ishte vera e vitit 2008, një moment dramatik për Gjeorgjinë e pushtuar nga Rusia, trupat e së cilës fillimisht ndërhynë fuqishëm në mbrojtje të rajoneve separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, e më pas hynë në territorin gjeorgjian, duke arritur në disa dhjetëra kilometra nga Tbilisi.
Në atë moment, Kaladze, që ende luante me Milanin, përdori kartën e dëshpërimit për të provuar të ndalonte forcat ruse që po avanconin drejt kryeqytetit: “Shkova te Berlusconi, duke e ditur marrëdhënien e mirë që kishte me Putinin, dhe i kërkova nëse mund të bënte diçka. Ai e telefonoi para meje dhe pak kohë më pas u firmos paqja – tregon sot për ‘Gazzetta dello Sport’ – Silvio për mua nuk ka qenë vetëm një president i madh, sipërmarrës dhe politikan. Para së gjithash për mua ka qenë një njeri i madh.”
Si nisi konflikti
E nisur më 8 gusht 2008 (gjatë hapjes së Lojërave Olimpike të Pekinit), lufta ruso-gjeorgjiane zgjati formalisht deri më 12 gusht 2008, me armëpushime të pjesshme dhe një marrëveshje paqeje të nënshkruar rreth mesit të gushtit dhe të ndërmjetësuar nga presidenti francez Nicolas Sarkozy, atëherë president i radhës i Bashkimit Europian. Plani i Sarkozy-t parashikonte praninë ushtarake ruse në Osetinë e Jugut dhe Abkhazi, kështu që Gjeorgjia humbi në fakt kontrollin mbi këto dy rajone, por ruajti integritetin e pjesës tjetër të territorit.
Sipas asaj që ka treguar Kaladze, Berlusconi kaloi pesë orë në telefon me mikun e tij të madh Putin për të gjetur një zgjidhje dhe për ta bindur të ndalte avancimin rus, duke shmangur një “gjakderdhje” në Tbilisi. Në atë moment, Silvio sapo kishte nisur qeverinë e tij të katërt në Republikën Italiane dhe fuqia e tij ishte në kulm. Marrëdhëniet personale me Putinin ishin të shkëlqyera, me pushime të përbashkëta, marrëveshje energjetike dhe një linjë më të butë ndaj Moskës krahasuar me liderë të tjerë të BE-së.
Megjithatë, ndërmjetësi kryesor i njohur ndërkombëtarisht për ndalimin e konfliktit ishte Nicolas Sarkozy, i cili negocioi drejtpërdrejt me presidentët Medvedev dhe Saakashvili dhe bëri të firmosej plani i paqes. Berlusconi në intervista të mëvonshme ka pretenduar se ka kontribuar në shmangien e një përshkallëzimi më të madh, por merita – “në dokumentet e historisë” – i atribuohet Francës dhe BE-së. Disa burime gjeorgjiane (si vetë Saakashvili në vitin 2010) e kanë mohuar ose minimizuar idenë se Berlusconi e ka “shpëtuar” Gjeorgjinë në atë rast.