Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon aksionin derë më derë, për evidentimin në terren të banesave me probleme në dokumentacionin e pronësisë. Prej fillimit të muajit shtator, “krehja” e territorit po zhvillohet në fshatrat e Bashkisë Himarë.
Për të lehtësuar komunikimin me qytetarët dhe për t’u dhënë mundësinë të ndjekin ecurinë e trajtimit të banesës së tyre, ASHK publikon periodikisht të dhënat e aksionit në Platformën e Konsultimit në Terren, qe gjendet në faqen zyrtare www.ashk.gov.al. Përmes këtij informacioni, banorët e fshatrave të përfshirë në proces mund të njihen me statusin e banesës dhe dokumentet që mund të mungojnë në dosjen e tyre.
Në rastet kur banesa nuk është verifikuar gjatë aksionit, qytetarët mund të kontaktojnë specialistin e ASHK-së pranë njësisë administrative, grupet e terrenit ose të telefonojnë në linjën e gjelbër 0800 88 11, gjatë periudhës së zhvillimit të aksionit në bashkinë përkatëse.
Përmes kësaj nisme, Kadastra synon të forcojë komunikimin e drejtpërdrejtë me banorët, të lehtësojë informimin mbi dokumentacionin e nevojshëm dhe të mbështesë vijimin e procedurave për trajtimin e banesave informale.
ASHK u bën thirrje qytetarëve të informohen përmes kanaleve zyrtare dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren, për të ndihmuar në ecurinë e procesit të legalizimit dhe formalizimit të pronësisë. Ekipet e ASHK-së do të jenë në fshatrat e Bashkisë Himarë deri më 25 nëntor.
Gjatë vitit 2026 Kadastra ka digjitalizuar 4.2 milionë kartela pasurish, ndërsa ka nisur edhe projekti kombëtar për digjitalizimin dhe gjeoreferimin e 38 mijë hartave dhe planshetave fizike. Paralelisht, Regjistrimi Fillestar ka arritur në 95.3% të territorit të vendit, duke përmbushur objektivin e përcaktuar në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ndërkohë vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2026, janë emetuar mbi 28 mijë vendime për legalizimet, një shifër që e tejkalon të gjithë volumin e vitit 2025.