Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Lajmin e ka bërë të ditur Shtëpia Botuese Onufri.
“Sot, më datë 1 korrik, 2024, në orën 08:50, ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shkrimtari i madh Ismail Kadare. Për ceremoninë e përcjelljes do t’ju njoftojmë në një çast të dytë”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Associated Press” ka mësuar përmes burimeve, se shkrimtari u dërgua në dhomën e urgjencës pasi pësoi një arrest kardiak.
“Redaktori i Shtëpisë Botuese Onufri Bujar Hudhri tha se autori i njohur vdiq të hënën në mëngjes. Një infermiere në spital, e cila foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte e autorizuar të fliste me shtypin, tha se ai u dërgua në dhomën e urgjencës pasi pësoi një arrest kardiak”, raporton Associated Press. Ndërkohë trupi i kolosit të letrave shqipe ndodhet ende në spital, ndërkohë që po bëhen procedurat e nevojshme. Pritet të mbahet një ceremoni zyrtare dhe shtetërore për homazhet për shkrimtarin e madh.