Juventus në krizë, Bonucci e fundos: “Një turp i madh! Nëse do të fitosh merr Conte”

Leonardo Bonucci nuk përdor fjalë të buta për të përshkruar situatën në Juventus pas humbjes turpëruese ndaj Atalantës, që i ka larguar përfundimisht bardhezinjtë nga gara për titullin dhe i ka lënë me objektivin e vetëm për të siguruar një vend në Champions League. Por edhe ai duket një synim i zbehtë për një klub si Juve.

“Ta themi hapur: pas së dielës, të gjithë duhet të jenë të zemëruar, sepse ajo kundër Atalantës ishte një figurë e turpshme. Më dhembi zemra, e them sinqerisht. Pashë një ekip në vështirësi të madhe, që nuk pati personalitetin për të menaxhuar një situatë të caktuar. Kur je në disavantazh dhe dëshiron të rikuperosh, duhet ta kuptosh kur të ndalesh dhe të bësh pak ‘luftë’ për të mos pësuar më shumë. Përndryshe, Atalanta është një ekip që të pret në dysh dhe të shkatërron, siç ndodhi. Pastaj, dy golat e pësuar erdhën nga gabime teknike: rrëshqitja e Dusanit dhe pasimi i gabuar i Kellyt, por këto ndodhin kur je i ekspozuar në përpjekje për të rikuperuar”, tha Bonucci.

“Nëse do rezultate të menjëhershme, Conte është zgjidhja”
Pas reagimit emocional, ish-mbrojtësi i Juventusit dha edhe një analizë më të ftohtë. “Si juventin, sigurisht që nuk mund të jem i kënaqur me këto rezultate. Nëse flasim për projektin, duhet të kuptojmë që do të duhen të paktën edhe 12 muaj të tjerë dhe duhet durim, edhe pse në Torino nuk ka kohë për durim. Çdo trajner ka nevojë për kohë dhe për një strukturë të qartë në nivelin drejtues. Por është gjithashtu e vërtetë që nëse dëshiron të fitosh menjëherë, atëherë duhet të marrësh Antonio Conten dhe je i qetë”, theksoi ai në podcastin Tripletta të Gazzetta dello Sport.

Kriza te Juventusi, sipas Bonuccit, është më e thellë dhe nuk lidhet vetëm me trajnerin. Ai e krahason situatën me atë të Milanit dhe thekson se problemi kryesor është mungesa e qartësisë në vendimet e klubit. “Juventusi është në të njëjtën situatë si Milani, sepse shoh që ka shumë konfuzion në nivel drejtues. Klubi ka nevojë për figura që njohin futbollin dhe e kuptojnë Juventusin. Dhe ku ishte drejtuesit pas asaj humbjeje? Agnelli u shfaq pas disfatës në Haifa. Një klub duhet të jetë më i pranishëm dhe me njerëz të aftë në krye”.

Bonucci thekson se Giuntoli dhe Thiago Motta duhet të kenë të paktën një vit tjetër për të krijuar një ekip konkurrues. “Edhe Arteta në vitin e tij të parë te Arsenali bëri keq dhe donin ta largonin. Pra, në qershor, ose merr Conten që të garanton fitore, ose i jep kohë Mottës, sepse nuk është e drejtë të vendosësh kaq shumë përgjegjësi mbi të pas vetëm 8 muajsh punë”.

Si mund të ringrihet Juventus pas këtij dështimi?
Sipas ish-Bonucci, gjithçka varet nga objektivat e klubit. “Në verë, Juventus investoi te disa lojtarë me përvojë, por edhe te të rinjtë që ka zhvilluar. Realiteti është se Juve duhet të rritet në çdo aspekt. Mungon vendosmëria, loja e Thiago Mottës është e këndshme, por në disa ndeshje skuadra ka shumë vështirësi për të gjuajtur në portë. Ai duhet të kuptojë që të jesh trajner i Juventusit është diçka krejt tjetër”.

Bonucci shtoi se “Në Bologna, kur Motta mori drejtimin pas Mihajloviçit, e pati po aq të vështirë, nëse jo më shumë. Por Bologna ka objektiva të ndryshme, ndërsa Juventusi luan vetëm për të fituar. Edhe lojtarët kanë nevojë për më shumë përvojë dhe personalitet për t’u rritur”.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top