Jordania do të jetë kundërshtari i Kombëtares në një ndeshje miqësore në muajin tetor. Federata e Futbollit ka arritur marrëveshjen me homologët jordanezë që takimi të luhet më 14 tetor, në stadiumin “Air Albania”, në ora 19:00. FSHF ka zgjedhur një kundërshtar relativisht të lehtë pas përballjes së nxehtë në Beograd në 11 tetor.
Do të shërbejë me shumë mundësi për amortizimin e presionit që njerëzit e teknikut Sylvinho do të kenë në përplasjen vendimtare për vendin e dytë në Grupin K, për eliminatoret e Botërorit 2026. Njësoj si u veprua, në fakt, para takimit me Letoninë, kur miqësorja u luajt kundër Gjibraltarit.
Vetëm se duhet patur kujdes nga Jordania. Kjo do të jetë përballja e dytë në histori mes dy ekipeve përfaqësuese. Sfida e parë është zhvilluar më 10 tetor 2018 në “Elbasan Arena” dhe është mbyllur në barazim pa gola.
Data 14 tetor është e lirë sipas kalendarit të FIFA-s, pasi Shqipëria bën pjesë në një grup me pesë ekipe në kualifikueset e Botërorit 2026. Po në këtë muaj, kuqezinjtë do të zbresin në fushë edhe për ndeshjen kualifikuese ndaj Serbisë në Beograd.