Ish-lojtari i Paris Saint-Germain, Jese, ka shpërthyer me akuza kundër klubit dhe presidentit të tij, katër vjet pas përfundimit të periudhës së tij të pasuksesshme atje. Spanjolli kaloi te PSG nga Real Madrid si një sulmues anësor i vlerësuar, duke kërkuar më shumë hapësira për lojë pasi kishte konkurrencë të fortë nga Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale.
Shpresat ishin të mëdha për lojtarin prej 21 milionë paundësh kur mbërriti në “Parc des Princes” me një kontratë pesëvjeçare. Jese kishte luajtur 28 herë në kampionat për Real Madrid në sezonin para se të transferohej dhe kishte marrë pjesë në 9 ndeshje gjatë fushatës fituese të Champions. Por gjërat shkuan keq për të, pasi pësoi një apendicit dhe nuk arriti të rikthehej në ekip, duke bërë vetëm 18 paraqitje për PSG-në në një periudhë torturuese katërvjeçare.
Talenti i dikurshëm premtues u shndërrua në një lojtar shëtitës, duke kaluar në klube si Las Palmas dhe Sporting Lisbona, madje përfundoi edhe te Stoke City gjatë sezonit 2017-18. Aktualisht, Jese luan për Johor DT në Malajzi dhe ka folur hapur për periudhën e tij të dështuar te PSG, duke bërë disa pretendime tronditëse për presidentin e klubit, Nasser Al-Khelaifi, në një intervistë me YouTuber-in Mowlihawk.
FJALËT E HIDHURA TE JESE
Ai tha: “Nëse do të doja, mund të kisha qëndruar në Madrid, por pastaj doli opsioni i PSG-së. Për më tepër, nuk kisha shumë minuta dhe mendova se do të luaja në Paris. Unai Emery ishte trajneri dhe ishte ai që më telefonoi.
Real Madridi kishte bërë shumë blerje të reja, unë doja të shkoja në Kampionatin Evropian të vitit 2016, isha gati të shkoja në Kupën e Botës 2014 në Brazil. Vicente Del Bosque donte të më thërriste, por isha i dëmtuar. PSG më paguante shumë më tepër. Dhe mos harro, edhe te Real Madridi fitova shumë. Kur pashë një milion euro në llogarinë time për herë të parë, mendova: “Vetëm për të shënuar gola?”
“Te PSG, nisa ndeshjen time të parë me një pasim vendimtar që i dha ekipit fitoren, por më pas u detyrova të mungoja për dy muaj për shkak të apendicitit. Në janar, më thanë se duhej të largohesha. ‘I thashë Emery se ndihesha i tradhtuar’. Presidenti [Al-Khelaifi] nuk donte as të më shihte personalisht. Ndoshta i pëlqente më shumë gruaja ime se sa unë. Nuk më dhanë asnjë shpjegim. Mund të bëje shumë para, po, por të trajtonin shumë, shumë keq.”
Jese përmblodhi situatën duke thënë: “Kuptova që Real Madridi është klubi më i mirë në botë në çdo aspekt. Te PSG, është thjesht një njeri që është miliarder dhe i përdor lojtarët.”

NJË DEKLARATË ENDE E PAQARTË
Nuk është e qartë se çfarë nënkuptonte spanjolli me komentin për gruan e tij, Aurah Ruiz, me të cilën është i martuar prej dy vitesh dhe kanë qenë së bashku për një kohë të gjatë. Ajo poston shpesh foto në Instagram, ku shfaqet duke pushuar, duke darkuar ose duke kaluar kohë cilësore me bashkëshortin e saj, dhe ka 650,000 ndjekës.
Nasser Al-Khelaifi, dikur një tenist profesionist, hyri në botën e biznesit dhe u bë kryetar i beIN Media Group dhe Qatar Sports Investments. Që nga viti 2011, ai është kryeshefi ekzekutiv dhe president i PSG-së, duke udhëhequr një periudhë të suksesshme për klubin francez me 10 tituj kampionati dhe nënshkrime yjesh si Neymar, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe.