Kombëtarja shqiptare do të mbyllë sot pasdite përgatitjet për ndeshjen e fundit në grupin B1 të UEFA Nations League ndaj Ukrainës, e programuar për t’u luajtur të martën e 19 nëntorit në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45. Problemi i vetëm për teknikun Sylvinho është se Jasir Asani nuk do të jetë. Anësori ka dalë nga fusha i dëmtuar në pjesën e parë kundër Çekisë dhe nuk mund të rikuperohet për ndeshjen përcaktuese për fatet e renditjes në grup.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se sulmuesi Jasir Asani i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore pas problemit që pati në ndeshjen ndaj Çekisë. Rezulatet nuk e kanë bindur stafin mjekësor për ti dhënë anësorit lejen për të zbritur në fushë për takimin ndaj Ukrainës. Sipas asaj që mësohet, Asani kishte shtrënguar dhëmbët për të qenë në fushë kundër çekëve, se ishte i dëmtuar që në fillim. Një demostrim lidhje me fanellën kuqezi të numrit 9, që edhe kundër Ukrainës do të dëshironte të ishte në fushë.
Skuadra zhvilloi ndërkohë dje një seancë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët që nuk u aktivizuan ndaj Çekisë zhvilluan një seancë të plotë e fokusuar më shumë te puna me topin dhe situatave të ndryshme të lojës. Ndërsa lojtarët të cilët luajtën titullar bënë vetëm shkrythje në palestër dhe fizioterapi. Kombëtarja do të mbyllë sot përgatitjet për duelin e fundit ndaj Ukrainës. Konferenca zyrtare e trajnerit Silvinjo do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në orën 15:45. Stërvitja zyrtare në orën 16:30 dhe 15 minutat e para do të jetë e hapur për median.
⚽ Djemtë e Kombëtares kanë nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen kundër Ukrainës
ℹ️ Më tepër, në .https://t.co/L8LsOHYG4l
— FSHF (@FSHForg) November 17, 2024