Që prej orës 08:30, protestuesit e parë janë mbledhur para Kuvendit, ku sot pritet të zhvillohet seanca e fundit plenare. Policia ka vendosur një perimetër të zgjeruar sigurie, të ngjashëm me masat e marra gjatë seancës së së enjtes. Seanca nis në orën 10:00. Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur në Kuvend, ndërsa demokratët do të mblidhen fillimisht në selinë e PD-së për të vendosur qëndrimin e tyre.
Sipas burimeve, gjatë ditës mund të zhvillohen dy seanca. Fillimisht, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, pritet të njoftojë mbledhjen e komisioneve parlamentare. Pas shqyrtimit të çështjeve, deputetët mund të rikthehen në sallë për votim.
Rendi zyrtar i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftimet dhe ndryshimet në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.