Partizani ka kthyer një lloj sigurie në skuadër, duke gjetur të paktën stabilitet për lojtarët e rëndësishëm që i dhanë lamtumirën në janar. Pas arritjes së çerekfinaleve në Kupën e Shqipërisë Veselinovic rigjen edhe fitoren në kampionat, duke mposhtur 0-2 Teutën në transfertë. Në sfidën e vlefshme për javën e 21 të Superiores, në stadiumin “Niko Dovana”, vendosën Janjeva e Padstrelau, në golin e parë me fanellën e kuqe.
Pjesa e parë nuk është se impresionoi dhe përfundoi me rrjeta të paprekura. Kthesa erdhi në fraksionin e dytë të ndeshjes, kur u shënuan edhe të dy golat. Fillimisht mbrojtësi Janjeva, u ndihmua nga devijimi i Simeut e më pas ishte Padstrelau, që vulosi rezultatin. Sulmuesi bjellorus u aktivizua në pjesën e dytë dhe shënoi golin e tij të parë me fanellën e Partizanit në kampionat. “Nuk kemi shumë zgjedhje, por shpresoj që lojtarët të jenë të shëndetshëm dhe të mund të funksionojnë normalisht. Nuk duhet të fluturojmë pas kësaj fitore, pasi mund të tregojmë dobësi – tha Veselinovic që shtoi -. Titulli? Në punën time unë nuk krijoj presion te lojtarët. Është në brendinë e çdo futbollisti që të ketë ambicie maksimale. Në performancë, si kemi qenë dhe tani pas ikjes së lojtarëve ja lë opinionit. Pjesa me rëndësi për mua është stërvitja dhe qasja intensiteti në lojë. Ku do të përfundojmë në fund të kampionatit, do ta shohim”.
Teuta e sheh veten gjithnjë e më larg Final 4 dhe në këtë pikë tekniku Edi Martini ka lënë të kuptohet edhe largimi nga skuadra: “I pari që merr përgjegjësitë për lojë të mirë apo të keqe, i merr trajneri. Sot i marr unë. Do ulem të bisedoj me presidentin. Nëse shumë gjëra në lojë nuk shkojnë, i pari që duhet të reflektoj. Do flas me presidentin dhe do shoh vendin tim”, është shprehur Edi Martini.
Me këtë fitore, Partizani rimerr kreun e Superiores, duke shkuar në kuotën e 37 pikëve. Në krahun tjetër, me 23 pikë, Teuta mbetet në vendin e 7-të në renditje: “Të vjen keq që humbet kjo ndeshje, pa justifikuar mungesat që kishim – tha Martini -. Por luajtëm, shpenzuam energji, patëm raste për të shënuar. Por kur nuk shënon, e pëson. Partizani ishte më konkret dhe më i freskët, pasi kemi bërë 120 minuta lojë në mesjavë. Më vjen keq sepse djemtë u munduan. Humbja dhemb, pikët ikin dhe gjendja rëndohet.