Izraeli bombardon Bejrutin

Ushtria izraelite goditi të dielën periferinë jugore të Bejrutit (Dahijeh), duke deklaruar se shënjestra ishte Haytham Ali Tabatabai, shefi i shtabit të Hezbollahut. Sulmi përbën një tjetër shkelje të armëpushimit të firmosur një vit më parë, i cili ndërpreu luftimet e ashpra mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Burime izraelite thonë se ushtria ka tentuar dy herë më parë ta eliminojë Tabatabain gjatë luftës së vitit të kaluar, ndërsa ky sulm konsiderohet tentativa e tretë. Hezbollah ende nuk ka konfirmuar nëse ai është vrarë apo plagosur.

Goditja në zemër të bastionit të Hezbollahut
Agjencia kombëtare libaneze NNA raportoi se një apartament në zonën Haret Hreik u godit nga dy raketa. Nga shpërthimi ka të plagosur dhe dëme të mëdha materiale në ndërtesa dhe automjete. Pamjet nga vendngjarja tregojnë re të mëdha tymi dhe dhjetëra persona të mbledhur pranë zonës së goditur.

Analisti Souhaib Jawher i tha Al Jazeera-s se Tabatabai dyshohet se po riorganizonte strukturat ushtarake të Hezbollahut. Sipas tij, sulmi tregon se “shteti libanez nuk ka më garanci se Izraeli do të shmangë zgjerimin e sulmeve ajrore”, duke shtuar se Izraeli po përdor atentate selektive për presion politik dhe ushtarak.

Ai theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të Libanit – përfshirë pastrimin e zonës në jug të lumit Litani nga armët dhe oferta për negociata të drejtpërdrejta – situata aktuale “i shërben Izraelit”.

Sulme të përsëritura edhe në jug të Libanit
Izraeli ka kryer goditje pothuajse të përditshme në jug të Libanit dhe disa herë ka bombarduar Bejrutin. Këtë javë, të paktën 13 persona u vranë në një sulm ajror izraelit në kampin palestinez Ein el-Hilweh në Sidon. Një dron goditi një automjet pranë një xhamie, sipas NNA-së.

Presioni për çarmatosjen e Hezbollahut
Izraeli dhe SHBA po rrisin presionin ndaj qeverisë libaneze për çarmatosjen e Hezbollahut. Në shtator, kabineti libanez miratoi një plan të ushtrisë që synon çarmatosjen e grupit deri në fund të vitit. Izraeli pretendon se Hezbollah po rindërton kapacitetet ushtarake në jug të Libanit, një akuzë që Bejruti zyrtar e mohon.

Al Jazeera, përgatiti në shqip

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top