Ndeshja e çmendur dhe emocionuese mes Izraelit dhe Italisë pati një epilog të nxehtë. Pas vërshëllimës përfundimtare, gjakrat u ndezën dhe u arrit deri pranë një përplasjeje të vërtetë, me kalimin nga fjalët te veprimet. Është e vështirë të rindërtohet me detaje çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka shkaktuar zemërimin e disa prej protagonistëve në fushë, si Gigio Donnarumma, shumë nervoz. Një version i ngjarjes vjen nga lojtarët izraelitë, të cilët për mediat e vendit të tyre iu referuan të ashtuquajturave “provokime” të marra nga të kaltërit gjatë gjithë takimit.
Izrael-Itali mbyllet keq, çfarë ndodhi mes lojtarëve
Sipas futbollistëve të kombëtares së Izraelit, kundërshtarët italianë kanë pasur sjellje të veçanta gjatë gjithë ndeshjes së vlefshme për kualifikimet e Botërorit. Në formë anonime, disa prej protagonistëve të skuadrës së drejtuar nga Ben Shimon do t’i kenë rrëfyer tabloidit të vendit të tyre: “Na ofenduan gjatë gjithë ndeshjes”. Duke dhënë kështu detaje të tjera për sherrin e shmangur në fundin e përballjes.
Akuzat e izraelitëve ndaj lojtarëve italianë
Në praktikë, sipas këtij versioni, momenti i saktë që çoi drejt përplasjes – që fatmirësisht mbeti verbale – do të ishte konkretizuar pas një talljeje të supozuar nga portieri Donnarumma, i cili pra do të kishte “tallur lojtarët e kombëtares izraelite”. Në pamje shihet portieri i Kombëtares si kurrë më parë: shumë nervoz nga ana e tij, kundër dikujt nga pankina kundërshtare. U desh ndërhyrja e shokëve të tij për të shmangur përkeqësimin e situatës. Sipas mediave izraelite, numri një i Italisë Donnarumma e kishte me Tai Baribo dhe Sagiv Yehezkel.
Në kaosin e krijuar ndërhyri edhe Gattuso, i cili u përpoq të qetësonte gjakrat, duke larguar gjithashtu disa nga izraelitët veçanërisht të irrituar. Trajneri i Italisë u bëri shenjë kundërshtarëve të heshtnin, dhe mesa duket edhe përkthyesve të pranishëm. Një mënyrë, sipas stilit të tij, për të penguar që situata të dilte jashtë kontrollit.
Fjalët e kapitenit Dasa dhe ndjesa e delegacionit italian
Eli Dasa, kapiteni i Izraelit, deklaroi në fund të ndeshjes: “Kush ishte këtu pa Italinë në vështirësi, sikur të luante kundër më të mirës në botë. Pankina e tyre ishte në delir dhe kjo thotë gjithçka”. Dhe më pas përshkroi çfarë ndodhi gjatë ndeshjes: “U zhvillua një diskutim, ata ishin shumë shumë emocionalë. Ndjenin se nuk ishin brenda ndeshjes, ndërsa ne e meritonim fitoren, dhe ata provuan disi të na provokonin. Por kjo është pjesë e futbollit dhe ne vazhduam përpara”.
Sipas rindërtimit të Sport5, disa anëtarë të delegacionit italian më pas kërkuan ndjesë në fund të ndeshjes në dhomat e zhveshjes, me stafin e Izraelit, për sjelljen e disa prej lojtarëve të tyre.