Ekziston rreziku që grupi i kualifikimit për Kupën e Botës të ketë përfunduar para se të fillojë. Italia duhet të përgatitet për një tjetër torturë të “playoff”-eve, nëse supozohet se arrihet vendi i dytë. Kombëtarja e parë dje në Oslo ishte e turpshme dhe është e drejtë të dyshohet për gjithçka, të pritet më e keqja nga më e keqja. Italia është kjo, e dobët dhe e zbrazët. Më saktë, bosh fare. I përmbytur nga ngjarjet, nga barrëra shumë të mëdha dhe nga një stuhi dëmtimesh, Luciano Spalletti duket se ka mbërritur në fund të rrugës si trajner, në konfuzion të plotë. Përballë një katastrofe të kësaj përmase, zgjidhja më logjike do të ishte një ndryshim rrënjësor në drejtim. Le të vijë i radhës, me shpresën se do të mund të mbledhë copat e një Kombëtareje të thërrmuar, të rrahur në Europianin e vitit 2024 dhe të poshtëruar dje në shiun e Oslos, si rrallë ndonjëherë më parë.
EDHE GRAVINA RREZIKON
Nëse ngjitemi në piramidë, nga Spalletti e lart, arrijmë në majë, te presidenti i Federatës. Për Gabriele Gravina vlen i njëjti diskutim si për Spallettin. Gravina nuk mund të jetojë pafundësisht mbi kapitalin e fituar nga Europiani i vitit 2021, me dy suksese me penallti në gjysmëfinale dhe finale – një kujtesë, sepse fitoret nga pika e bardhë, ndonëse të vlefshme, nuk tregojnë me siguri një epërsi, por shpërblejnë një aftësi të caktuar, në këtë rast mjeshtërinë e portierit Donnarumma te penalltitë. Në këtë pikë, kujtojmë se Giancarlo Abete, pas eliminimit nga Botërori në Brazil më 2014, dhe Carlo Tavecchio, pas humbjes kundër Suedisë në “playoff”-in për Kupën e Botës 2018 në Rusi, dhanë dorëheqjen.
Gravina e ka humbur tashmë Botërorin 2022 dhe mund të arrijë një tjetër dështim katastrofik. Për një kualifikim të drejtpërdrejtë në Kupën e Botës 2026, pa kaluar përmes ngushticës së “playoff”-eve, situata është tashmë e kompromentuar: në rast barazimi në vendin e parë – dhe për këtë do të jetë e detyrueshme fitorja kundër Norvegjisë në Itali – do të vlejë diferenca e përgjithshme e golave. Dhe në këtë aspekt, sot Norvegjia dhe Italia janë të ndara nga një humnerë: Haaland dhe shokët janë me +10, të kaltrit me –3. Trembëdhjetë gola diferencë. Është e vërtetë që Italia ka dy ndeshje më pak, por është e vështirë të imagjinohet që ajo Kombëtare e djeshme, brenda 180 minutash, të arrijë ta ngushtojë diferencën aq sa ta bëjë vendimtare ndeshjen e kthimit në nëntor kundër norvegjezëve. Nevojitet një tronditje, duhet një kthesë e fortë. Emergjencë kombëtare.
KRIZË PA PRECEDENTË
Një krizë teknike pa precedentë, nuk e kujtohet më në memorie një Itali me një nivel kaq të ulët. Spalletti ka fajet dhe përgjegjësitë e tij. Nuk ka arritur të hyjë në sintoni me shumë lojtarë, është ngurtësuar, është ngatërruar me fjalët, ka humbur kthjelltësinë. Trajnerë si Spalletti janë të përgjysmuar në rolin e përzgjedhësit, sepse nuk mund të punojnë çdo ditë. Mbajtja e topit gjatë, por e ngadaltë dhe e kotë në pjesën më të madhe të pjesës së parë, ishte shembulli i qartë i disfatës – një shfaqje e madhe e pafuqisë. Lojtarët i pasonin topin njëri-tjetrit pa krijuar hapësira, pa ndonjë lëvizje për të prerë linjat apo për të sulmuar thellësinë siç duhet. Me gabimin e parë – një ndërrim krahësh i gabuar nga Bastoni – gjithçka u rrëzua.
Norvegjia bëri me të kaltrit atë që Italia do të kishte bërë me Norvegjinë 30-40 vjet më parë, depërtoi me prekje të shpejta dhe vertikale dhe me driblime që italianët nuk dinë më t’i bëjnë. Për saktësi, ata në të majtë kishin Antonio Nusa, një anësor i talentuar i Leipzig, një 20-vjeçar që është tashmë mjeshtër në artin e kalimit të kundërshtarit. Ne, në të njëjtën krah, Spalletti i ishte dorëzuar Destiny Udogie, një djalë me aftësi atletike mbresëlënëse, por i paaftë për një shpërthim apo një lojë prestigji. Është një shembull, jo për të kryqëzojmë Udogie, nuk është ai fajtori numër një.
RIFILLIM TOTAL
Dueli nga larg mes Nusa dhe Udogie e përshkruan më së miri atë që Italia është bërë, flet për përgjegjësitë e sektorëve të të rinjve. Nuk ka më kujdes për teknikën, imitohet kontrolli i topit të të tjerëve. Mijëra trajnerë dhe instruktorë në akademi nuk kanë kuptuar që së pari duhet stërvitur ndjeshmëria e këmbës, pastaj aftësia e lojës, dhe që kjo e dyta nuk funksionon kurrë nëse mungon alfabeti – “k” e kontrollit, “d” e driblimit, “g” e goditjes. “p”-ja e pasimit nuk mjafton më vete. Duhet rifilluar gjithçka nga e para. Sektori Teknik i famshëm i Covercianos nuk është më një ekselencë. Por më parë, duhet të përballemi me emergjencën. Nuk mund të humbet Botërori i tretë radhazi.