Protesta e 20 shkurtit është akti i parë joformal i bashkimit në PD. Për herë të parë që kur u ndanë në kampe të ndryshme pas vendimit të Bashës për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, deputetët e përfaqësuar nga Gazment Bardhi kanë rënë dakord të punojnë së bashku për organizimin e protestës me deputetët që mbështesin zotin Berisha. Këtë e konfirmoi në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka. Ai tha se opozita duhet të radikalizojë qendrimet, në mënyrë që të arrijë qëllimin për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Rama.
“Ne i kemi provuar të gjitha, edhe rrugën e butë, edhe të alternativës. Vjen Rama dhe ble zgjedhjet. Përderisa nuk bëhen zgjedhje, regjimi nuk rrëzohet me votë. Prandaj duhet revolta” – deklaroi Paloka.
I pyetur, nëse kjo është rruga e duhur, megjithëse PD s’ka përfituar asnjëherë asgjë nga protestat, Paloka ishte i drejtpërdrejtë në përgjigje.
“Pa protesta nuk ke rrugë! Je jashtë rruge! Njerëzit janë sot në situatë diktature, pëshpëritin në vesh kur flasin kundër Ramës. Kanë frikë ta shprehin. Prandaj them, absolutisht duhet radikalizuar. Nëse ne nuk reagojmë, edhe për faktorin ndërkombëtar, do të thotë që jemi në rregull.
Një popull që i rrisin taksat, i shkatërrojnë shtëpinë, i vjedhin votën dhe rri, atëherë ata mendojnë se gjërat janë në rregull. Reagimi është i domosdoshëm. Kështu u jep shpresë njerëzve dhe merr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar”– u shpreh Edi Paloka.
Gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, Paloka foli edhe për vizitën e pritshme në Tiranë në 14 shkurt të Sekretarit amerikan të Shtetit, Entony Blinken, i cili shpalli Sali Berishën non grata në maj 2021.
“Për vizitën e Sekretarit të Shtetit, mos ta quaj skandal, por në ditën që vjen Sekretari i Shtetit këtu, ish-shefi i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, dëshmon në Uashington DC se e ka korruptuar kryeministri shqiptar”, – tha Paloka.
Deputeti i PD u përket atyre politikanëve që shpresojnë se me rikthimin e Donald Trump diçka mund të ndryshojë në politikën amerikane për Shqipërinë dhe opozitën, pasi besojnë se shpallja non grata nga administrata aktuale ka ndodhur për shkak të lobimit të Edi Ramës përmes George Soros.
“Nuk është sekret që Soros kontrollon një pjesë të Departamentit të Shtetit. Uroj që fitorja e Trumpit të na kthejë dhe Amerikën që adhurojmë. Por dua të theksoj se, nëse ne presim që të na e sjellin ndryshimin ndërkombëtarët, pa lëvizur ne, atëherë jemi duke fjetur si Luli.
Edhe kur të vijë Trump, po s’lëvizëm ne, asgjë nuk ndodh. Do të ndikojë, sepse, për fat të mirë, Trump ka një konflikt me Sorosin dhe mund të na japë një dorë, po nuk pres që, pa lëvizur ne, të ndodhë gjë” – tha Paloka. /rtsh