Irani vendos “mburoja të kaltra” gjatë bombardimeve SHBA-Izrael

Një sërë mburojash kaltërebardh të vendosura mbi ndërtesa në gjithë Iranin synojnë ta dërgojnë një mesazh për planifikuesit e sulmeve amerikane dhe izraelite.

Fotografi të simbolit të vendosur mbi çati dhe pranë vendeve të trashëgimisë kulturore u shpërndanë nga mediat shtetërore iraniane më 10 mars, së bashku me raportet se “më shumë se 120 muze dhe disa ndërtesa historike” në gjithë Iranin janë shënjuar me këtë emblemë.

I njohur zyrtarisht si “Mburoja e Kaltër”, shefi i trashëgimisë kulturore të Iranit, Mohsen Tousi, u tha mediave iraniane se simboli ishte vendosur “për t’i mbrojtur pasuritë e vlefshme kulturore dhe historike”.

Emblema e mburojës së kaltër u krijua gjatë Konventës së Hagës të vitit 1954 për të mbrojtur pronën kulturore gjatë konflikteve. Simboli synon të tregojë një objekt të trashëgimisë në të njëjtën mënyrë siç simboli i kryqit të kuq tregon një objekt humanitar.

Simboli i mburojës nuk arriti kurrë të përhapej si ai i kryqit të kuq, por në vitin 1996 u themelua organizata Blue Shield për të promovuar idealet e ruajtjes së trashëgimisë gjatë luftës që simbolizon emblema e vitit 1954.

Peter Stone është president i organizatës Blue Shield. Ai i tha Radion Evropa e Lirë se përdorimi i simbolit në Iran është “shumë pozitiv”, por theksoi se organizata e tij nuk ka kontroll mbi përdorimin e kësaj embleme.

Përveç kësaj, nuk ekziston asnjë mekanizëm për të verifikuar nëse objektiva të ligjshme ushtarake iraniane po shënohen me këtë simbol.

“Në luftën moderne, realisht është ushtrim mjaft i kotë të vendosësh një emblemë të madhe mbi çatinë e një muzeu”, thotë Stone, duke shtuar se shumë ushtri moderne kanë listat e tyre sekrete për vendet që nuk duhen goditur.

Megjithatë, ai thotë se një shënim kaq i qartë i vendeve të trashëgimisë “shton një shtresë shtesë të përgjegjësisë për këdo që sulmon, që ta marrë seriozisht këtë emblemë dhe mbrojtjen e saj”.

Nëse vendoset në një vend kulturor legjitim pa përdorim ushtarak, eksperti britanik i trashëgimisë thotë se emblema mund të ketë edhe peshë ligjore, pasi “mbrojtja e saj vjen nga Konventa e Hagës e vitit 1954”, të cilën e kanë ratifikuar edhe Izraeli dhe SHBA-ja.

Në konflikte të mëparshme, përfshirë gjatë pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, emblema e mburojës së kaltër është përdorur, shpesh e pikturuar mbi çati në përmasa të mëdha që të jetë e dukshme për pilotët e avionëve dhe dronëve.

Disa ndërtesa që mbanin emblemën u dëmtuan gjatë konfliktit, ndërsa të tjera jo. Stone thotë se ka qenë e pamundur të dihet ndikimi i mirëfilltë i simbolit, pasi vendimmarrja për objektivat ndodh pas një muri të fshehtësisë ushtarake.

Pas konfliktit, thotë Stone, përdorimi i drejtë i simbolit të mburojës mund të shtojë “një provë shtesë” për ndjekjen penale të atyre që sulmojnë pa ndonjë domosdoshmëri ushtarake.

Stone pranon se koncepti i së drejtës ndërkombëtare mbi të cilin bazohet mburoja e kaltër sot është në një gjendje të brishtë, por ai thotë: “duhet ta mbajmë gjallë”, sepse në të kundërt “askush nuk do të mbahet përgjegjës”./REL

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top