Ndërkohë që ministrja e shëndetësisë mban fjalime në komisionet parlamentare dhe premton se situata me të sëmurët me kancer do të ndryshojë shumë shpejt, në spital mungojnë medikamentet.
Gazetari Osman Stafa ka sjellë një dëshmi nga spitali, ku një e sëmurë me kancer tregon se si është njoftuar me një mesazh nga spitali se mungon Avastina, një medikament i nevojshëm për kemion.
Pacientja nga Vlora thotë në intervistë se mjekja nuk i ka dhënë një datë për sigurimin e ilaçit, ndërsa shton se spitali e telefonon me numër privat në komunikimet mbi terapinë.
“Mungon Avastina, atë kam më kryesorin. Kam 5 vjet që mjekohem. Më është ndërprerë 2-3 herë mjekimi, asnjëherë se kam pasur të rregullt.
Tani është radha e dytë që po vij brenda gjashtë javëve nga Vlora dhe nuk e gjej. Më thonë që do zgjasë akoma. Më marrin me numër privat nga spitali dhe më thonë që mjekimi nuk është.
Nuk më duket e drejtë që të marrë me numër privat spitali. Smë duket e drejtë të njoftojnë me numër privat. Mjekja më tha që do zgjasë akoma mungesa e Avastinës.
Ka gjashtë javë të paktën që mungon. Kjo është medikamenti më i rëndësishëm, është jetik. S’po kërkojmë as bukë as ujë, po kërkojmë ilaçin për të jetuar”, shprehet qytetarja Klementina Aliaj nga Vlora.