Inter ka triumfuar me rezultatin e thellë 4-0 në transfertë ndaj Lecces, duke iu përgjigjur fitores së Napolit dhe duke u ngjitur në kuotën e 50 pikëve në renditje. Zikaltërit nisën vrullshëm dhe që në minutën e 6’, pas një gabimi të Guilbert dhe një depërtimi të bukur të Thuram, zhbllokuan rezultatin me Frattesin. Në pjesën e parë, Thuram humbi një rast të artë për të dyfishuar shifrat, por kapiteni Lautaro Martinez, në minutën e 39’, me një goditje të fortë nga jashtë zone e dërgoi topin nën traversë duke dyfishuar avantazhin. Në mes të pjesës së parë, Interi pati dy gola të anuluar për pozicion jashtë loje të Carlos Augustos dhe Frattesit. Në pjesën e dytë, Dumfries dhe Taremi, me një penallti, vulosën rezultatin përpara kohe. Për Simone Inzaghin, kjo ishte fitorja e tij e 200-të si trajner në Serie A.
Analiza e ndeshjes
Ashtu si sezonin e kaluar, Inter i Simone Inzaghit u largua nga stadiumi “Via del Mare” me tri pikë dhe katër gola të shënuar. Edhe pse ndeshja konsiderohej e vështirë pas angazhimeve evropiane që shpesh kanë ndikuar tek skuadrat e tjera të përfshira në Champions League, zikaltërit dhanë një përgjigje të qartë dhe të fortë ndaj fitores së Napolit, duke mposhtur Leccen e Giampaolos me një rezultat të pastër 4-0. Me këtë fitore, Interi e çon në tetë numrin e fitoreve radhazi në transfertë në Serie A, ku gjashtë prej tyre janë arritur pa pësuar gol. Shifra të cilat tregojnë qartë dominimin e tyre në kampionat.
Gara për titullin me Napolin pritet të zgjasë edhe për disa javë, me ndeshjen direkte më 2 mars në stadiumin “Maradona” që mbetet thelbësore. Inter, edhe në këtë sfidë ndaj Lecce, tregoi besimin e madh në forcat e veta dhe një superioritet fizik mbresëlënës, duke krijuar raste të shumta dhe duke realizuar gola me lehtësi. Gabimi i Guilbert në minutën e 6’ i hapi rrugën Thuramit për të asistuar Frattesin në avantazhin e parë, ndërsa në 20 minutat e para, Inter dërgoi dy herë topin në rrjetë, por u anulua për pozicion jashtë loje. Lecce nuk pati mundësi të reagonte, pasi përpara pushimit, një tjetër perlë e Lautaro Martinez e siguroi rezultatin.
Në dhjetë minutat e para të pjesës së dytë, Lecce u përpoq të kthente sfidën në lojë, me disa përpjekje nga Krstovic që detyruan ndërhyrjet e portierit Sommer. Megjithatë, në momentin më të mirë të vendasve, Inter tregoi klasin e tij me Lautaro Martinezin, i cili me një prekje të zgjuar me thembër nxori Dumfries të vetëm përballë portës, duke shënuar golin e tretë në minutën e 57’. Lecce dorëzoi plotësisht ndeshjen, duke pësuar edhe golin e katërt me penalltinë e realizuar nga Taremi pas një ndërhyrjeje të gabuar të portierit Falcone ndaj Frattesi.