Inter, gjithçka në një natë: të mposhtë Barcelonën për të arritur finalen e Mynihut

Pas barazimit spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë në Katalonjë, Inter dhe Barcelona rikthehen sonte në fushë në orën 21:00 për të zhvilluar gjysmëfinalen e kthimit të Champions League. Inzaghi kërkon finalen e dytë në tre edicionet e fundit dhe synon të arrijë trofeun e munguar në vitin 2023: ai do të mbështetet te vështirësitë që iu krijuan katalanasve në ndeshjen e parë dhe te rikuperimi i Lautaro Martinez, i cili do të luajë përkrah Thuram. Nga ana tjetër, Flick dëshiron Tripletën dhe një trofe që i mungon Barcelonës prej dhjetë vitesh.

Një ndeshje që vlen një sezon të tërë. Kështu është si për Inter, që është fokusuar fort në Champions League, ashtu edhe për Barcelonën, që e ndjek këtë trofe prej një dekade. Pas barazimit 3-3 në gjysmëfinalen e parë në Montjuic, sfida e kthimit do të luhet në “San Siro”: në lojë është kualifikimi për në finalen që do të zhvillohet më 31 maj në Mynih. Zikaltërit, që i kanë thënë lamtumirë Kupës së Italisë dhe që në kampionat janë tri pikë prapa Napolit kur kanë mbetur edhe tri javë, luajnë njëkohësisht shanset e fundit për të fituar trofeun më të rëndësishëm, por me frikën se mund të përfundojnë sezonin pa fituar asgjë, ndonëse deri para njëzet ditësh ishin ende në garë për gjithçka.

Për Inter dhe për Inzaghin kjo do të ishte finalja e dytë në tre edicionet e fundit, duke pasur parasysh se në sezonin 2022/2023 humbën në finalen e Stambollit kundër Manchester City. Shpresa është që të rivihen në vështirësi katalanasit me goditjet standarde dhe kundërsulmet, këtë herë edhe me mbështetjen e “San Siros”. Megjithatë, do të jetë e nevojshme të përballohen fenomenët blaugrana, me Yamal në krye.

LËVIZJET E FORMACIONIT
Flick, nga ana tjetër, ndjek një Tripletë që e ka fituar tashmë në sezonin 2019/2020 me Bayernin. Kjo do të ishte e dyta për trajnerin gjerman dhe e treta për Barcelonën. Sa për kronikë: tripleta e dytë e katalanasve daton në sezonin 2014/2015, kur ata fituan ndaj Juventus në finalen e Berlinit. Një tjetër finale në Gjermani, një tjetër Tripletë në lojë: shpresa është të përsëriten gjurmët e Messit, Neymarit dhe Suarezit, por kësaj radhe me Yamal, Raphinhan dhe – të paktën nga minuta e parë – Ferran Torres në vend të Lewandowski. Me Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Mbretit tashmë në arkivë, Barcelona është +4 pikë mbi Real në kampionat dhe ka ende për të zhvilluar El Clasico në Montjuic. Pra, një skuadër që ende mund të fitojë gjithçka, por do t’i duhet të mposhtë “San Siron”, i cili në Europë është ende i pamposhtur.

Pasi u dhanë pushim pothuajse të gjithë lojtarëve kundër Veronës dhe Valladolid, Inzaghi dhe Flick do të hedhin në fushë formacionet më të mira të mundshme. Trajneri i Inter rikuperon në momentet e fundit kapitenin Lautaro Martinez, ndërsa Pavard mungon dhe do të zëvendësohet nga Bisseck. Për katalanasit, ndërkohë, vijojnë të mungojnë titullarët Lewandowski, Baldé dhe ter Stegen: në portë do të luajë sërish Szczesny. Në mbrojtje, ekzistojnë dy skema të mundshme: çifti Martinez-Cubarsí me Garcia në të majtë, ose përfshirja e Araujos me zhvendosjen e ish-lojtarit të Bilbaos në krah. Të konfirmuar janë Raphinha, Yamal dhe Ferran Torres: më të mirët për një ndeshje që premton intensitet dhe spektakël.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top