Integrimi/ Pse Rama e “harroi” kaq shpejt rezolutën e përbashkët me PD

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer gjuhës konfliktuale dhe përplasjes me opozitën për miratimin e raportit IBAR në procesin e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në mesazhin e fundjavës në rrjetet sociale, ai i quan opozitarët “molotovarë të dëshpëruar” që me “energji negative” u “lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë” në sytë e ndërkombëtarëve.

Rama thotë se ata gëzonin si fëmijë për fotot e kazanëve të djegur që bënin xhiron e mediave ndërkombëtare, por nuk e përmend faktin se PD dhe PS u bënë bashkë në parlament për një rezolutë të përbashkët në lidhje me integrimin. Për këtë gjest, opozita mori përsipër kritika të shumta, por që gjithsesi shënoi një kthesë, ishte një sinjal që integrimi mbetet një objektiv kombëtar dhe shkon përtej interesave të momentit.

Vetëm se ky element del jashtë llogarive të kryeministrit Edi Rama, të cilit i intereson fabula e një fitorejeve të vështirë, ku ai gjendej i rrethuar kudo nga kundërshtarë dhe armiq që tentonin ta mbanin vendin peng të interesave të tyre. Vetëm në këtë rrëfim, në fund, lavdia e fitores do t’i takojë e gjitha atij vetë, personalisht.

Mesazhi I plotë I Ramës për raportin e ndërmjetën në negociata, IBAR

“Por, ashtu siç dhe dihej, shënimi i shënimeve është ai që lidhet me ballafaqimin mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel, për raportin e detyrave të kryera nga Shqipëria pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Ai ballafaqim mori kohën e vet, në ndërkohë që“molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës. Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët. Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin. Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të. Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari. Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave përanëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar”

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top