Incidente, invazion fushe e poker portugez: Shqipëria e nis keq Europianin U-17

Kampionati Europian për moshat U-17, që për herë të parë organizohet në Shqipëri, nisi me një humbje të thellë për kuqezinjtë. Në sfidën hapëse të zhvilluar në “Arena Kombëtare”, përfaqësuesja e Shqipërisë u mposht me rezultatin 0-4 nga Portugalia, një prej pretendenteve kryesore për trofeun.

Shqipëria rezistoi mirë për rreth 35 minuta, por goli i Quintas për portugezët në minutën e 36’ zhbllokoi ndeshjen. Me kalimin e minutave, loja e kuqezinjve ra ndjeshëm dhe hapësirat e lëna në pjesën e dytë u shfrytëzuan nga kundërshtari.

Gabime që u ndëshkuan shpejt në pjesën e dytë
Shqipëria tentoi të dalë përpara në pjesën e dytë për të kërkuar barazimin, por kjo solli disbalanca në prapavijë. Në minutën e 68-të Portugalia fitoi një penallti dhe dyfishoi rezultatin, duke marrë nën kontroll totalin e lojës.

Në fundin e ndeshjes, dy gola të tjerë – të shënuar nga Manuel dhe Soares – vulosën fitoren bindëse të portugezëve. Kuqezinjtë, ndonëse të përpjekur, nuk arritën të ishin konkretë në sulm dhe prodhuan shumë pak raste të rrezikshme.

Rasti më i mirë për kuqezinjtë, traversa e Kullës
Shqipëria pati një mundësi të artë për të shënuar golin e nderit në minutën e 75’. Pas një aksioni të bukur me disa kombinime, Gabriel Kulla u gjend në pozicion të favorshëm brenda zonës. Portieri portugez ishte i mposhtur, por topi përfundoi në traversë dhe shpresat për një gol u shuan aty. Ky ishte momenti më i mirë për Shqipërinë në një sfidë ku dominimi i kundërshtarit ishte i dukshëm.

Reagimi i trajnerit Tedesco: “Nuk fituam duelet, humbëm përqendrimin”
Pas përfundimit të sfidës, trajneri i kombëtares U-17, Andrea Tedesco, analizoi humbjen me tone realiste dhe kritike: “Sinqerisht, kjo nuk ishte ndeshja jonë më e mirë nga pikëpamja e dueleve fizike – nuk fituam shumë dhe humbëm topin e dytë shumë shpesh. Por deri në minutën e 65-70 ishim ende në lojë dhe mendoja se do të arrinim të reagonim,” deklaroi italiani.

Ai theksoi se i kishte kërkuar lojtarëve të bënin gjëra të thjeshta në mënyrë perfekte: “Nëse nuk bën mirë gjërat e vogla, nuk mund të përballesh me skuadra të tilla. Ndeshjet ndërkombëtare janë kështu: kërkojnë përqendrim maksimal dhe gatishmëri për të luftuar për çdo top.”

Incidente në ndeshje: shishe nga tifozët dhe hyrje në fushë
Ndeshja e pare e Europianit Shqipëri 2025 u shoqërua me dy episode të pakëndshme. Pas golit të dytë të Portugalisë, lojtarët e kësaj skuadre festuan pranë sektorit të tifozëve shqiptarë, çka provokoi reagimin e disa fëmijëve që hodhën shishe uji në fushë. Policia ndërhyri menjëherë dhe situata u qetësua pa incidente të mëtejshme.

Ndërkohë, në minutën e 90’, një tifoz i vogël arriti t’i shpëtonte sigurisë dhe hyri në fushë për të takuar portierin kuqezi Rafaele Huli. 16-vjeçari që luan me Juventusin U-17 u përshëndet me tifozin, ndërsa arbitri ndaloi për pak çaste ndeshjen.

Kalendari: përballje me dy gjigantë të Europës
Pas kësaj humbjeje, Shqipëria do të zhvendoset në Elbasan për dy sfidat e mbetura në grup. Më 22 maj kuqezinjtë do të përballen me Gjermaninë, ndërsa më 25 maj do të luajnë ndaj Francës – dy kundërshtarë të nivelit më të lartë në turne.

Kjo është pjesëmarrja e parë në historinë e Shqipërisë në një Europian U-17 dhe ndonëse organizatorët kanë bërë një punë të lavdërueshme, niveli i konkurrencës kërkon më shumë përgatitje e përqendrim nga ekipi në fushë.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top