Disa javë pas mbledhjes së parë të Këshillit të Mandateve, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka thirrur një mbledhje të dytë në datën 28 janar për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK për arrestimin zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila akuzohet për ‘shkelje të barazisë në tendera” me vlerë qindra-milionë euro.
Kuvendi njoftoi të hënën se mbledhja ka si rend dite “vijimin e shqyrtimit procedural të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit”.
Peleshi e mori vendimin për të thirrur mbledhjen disa orë pasi Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj tij për “shpërdorim detyre” pasi ai refuzoi të thirrte këshillin pavarësisht 5 kërkesave të njëpasanjëshme të gjysmës së anëtarëve të tij nga opozita.
Caktimi i mbledhjes në fund të janarit duket se lidhet me një vendim të pritshëm nga Gjykata Kushtetuese më datë 22 janar, ku pritet të shqyrtohet ankesa e kryeministrit Edi Rama ndaj një vendimi të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Ballukut.
Vetë Rama paralajmëroi publikisht se mazhoranca që ai drejton do të priste të shprehej Gjykata Kushtetuese para se të merrte qëndrim për heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut.
Pas urdhërit të Peleshit kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi duke akuzuar kryetarin e Kuvendit se ka shkelur Rregulloren e Kuvendit me urdhër politik të Ramës dhe ka penguar drejtësinë.
“Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve”- shkruajti ai në një reagim të shpërndarë për mediat.
Dhënia e autorizimit për caktimin e një mase sigurie ndaj deputetit parashikohet në nenin 118 të Rregullores së Parlamentit, pa afate të qarta për shqyrtimin paraprak.
Është kjo strukturë bi-partizane parlamentare që pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit.
Sipas ekspertëve të ligjit, zvarritja e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme bie në kundërshtim me frymën e dispozitave ligjore dhe vendos një precedent të rrezikshëm të qëndrimit të Kuvendit. /Reporter.al