Aktori britanik Idris Elba ka hedhur poshtë spekulimet e vazhdueshme se ai ishte një nga kandidatët kryesorë për të luajtur agjentin legjendar 007, James Bond.
Gjatë premierës së filmit të tij të ri Masters of the Universe në Los Angeles, Elba deklaroi për revistën PEOPLE se emri i tij nuk ka qenë realisht në diskutim për rolin.
“Emri im nuk po qarkullon fare. Ata po kërkojnë një aktor më të ri dhe u uroj gjithë të mirat. Mezi pres ta shoh – do të jetë diçka fantastike,” u shpreh aktori 53-vjeçar.
Prej vitesh, fansat dhe mediat e Hollywood-it e kanë përmendur Elbën si një kandidat potencial për të zëvendësuar Daniel Craig në rolin e James Bond, sidomos pas suksesit të tij në serialin Luther.
Megjithatë, aktori kishte folur edhe më herët për anën negative të gjithë kësaj eksperience. Në një intervistë të vitit 2023 në podcastin Smartless, Elba tregoi se fillimisht ishte ndier i nderuar nga mbështetja e publikut, por debati mori një drejtim të pakëndshëm kur u përfshi çështja e racës.
“Të konsiderohesh për James Bond ishte një kompliment i madh. Por disa reagime e bënë situatën të shpifur dhe bezdisëse, sepse gjithçka u kthye në debat racial,” tha ai.
Rolin e agjentit 007 e kanë interpretuar ndër vite aktorë si Sean Connery, Roger Moore, Pierce Brosnan dhe së fundmi Daniel Craig, i cili u largua nga seria pas filmit No Time To Die në vitin 2021.
Ndërkohë, Idris Elba është i fokusuar te projekti i tij më i ri, filmi fantastiko-aksion Masters of the Universe, ku ai interpreton personazhin Duncan, një nga aleatët më të afërt të He-Man.
Aktori tregoi se ka qenë fans i madh i këtij universi që në fëmijëri.
“Masters of the Universe ka qenë pjesë e fëmijërisë sime. Ishte kënaqësi të luaja Duncan dhe ta sillja personazhin në stilin tim,” deklaroi Elba.