Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar sërish përmbytje në disa zona të Shqipërisë.
Për shkak të reshjeve me intensitet të lartë, ka dalë nga shtrati përroi që kalon në mes të qytetit të Himarës. Nga dalja e përroit janë përmbytur disa rrugë periferike. Përmbytjeve nuk i ka shpëtuar as komisariati i policisë së Himarës, në katin e parë të tij.
Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa të përmirësohen kushtet e motit.
Në qytetin bregdetar të Durrësit, situata u shfaq sërish problematike. Në rrugët pranë stadiumit “Niko Dovana” dhe pranë shëtitores “Taulantia”, niveli i ujit ka kaluar mbi trotuare, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve.
Në zonën e Currilave, si pasojë e rrëshqitjes së dheut, u bllokua rruga kryesore që lidh Currilat me Sheshin Taulantia. Autoritetet po punojnë për zhbllokimin e njërës anë të rrugës, ku kalimi përkohësisht po kryhet vetëm në një korsi.
Sipas sinoptikëve, për shkak të motit të paqëndrueshëm, reshjet e shiut do të jenë më intensive në ultësirën perëndimore, ndërsa në zonat malore rikthehen reshjet e dëborës.
“Fundjava do të sjellë një rënie të intensitetit të reshjeve, por do të shoqërohet me ulje të temperaturave”, tha meteorologia Lajda Porja.
Sipas sinoptikëve, i gjithë muaji shkurt pritet të jetë me reshje shiu, ndryshe nga një vit më parë.