Hysaj rrezikon vendin e titullarit: Sylvinho bën vetëm dy ndryshime kundër Azerbajxhanit

Ditë e rëndësishme për grupin e Kombëtares, që do të luajë ndeshjen e fundit miqësore para Europianit atë kundër Azerbajxhanit. Kuqezinjtë do të mbyllin kështu edhe grumbullimin austriak dhe nesër do të fluturojnë drejt Gjermanisë. Do të jetë megjithatë një më pak, sepse sot Sylvinho duhet të dërgojë në UEFA listën me 26 lojtarë, duke shkurtuar një nga 27 emrat aktualë. Kombëtarja shqiptare do të zbresë sot në fushë në orën 19:00 për testin final para Euro 2024.

Kuqezinjtë e teknikut Sylvinho do të kërkojnë një rezultat pozitiv për të shkuar me një moral të lartë përpara përplasjeve të vështira në Grupin B të Euro 2024. Një test shumë i rëndësishëm, duke qenë se pas tij braziliani do të krijojë edhe një ide për mënyrën dhe njerëzit me të cilët të përballojë Italinë në debutim më 15 qershor.

PRECEDENTËT
Përballë do të jetë Azerbajxhani, një kundërshtar më i fortë sesa Lihtenshtejni i disa ditëve më parë, por që megjithatë bilancet sërisht i kemi në favor. U bënë tashmë 13 vjet që dy skuadrat nuk kanë qenë përballë dhe në atë ndeshje, Shqipëria ka pësuar humbjen e vetme ndaj azerëve. Në total janë 5 ndeshje të luajtura me tre fitore të kuqezinjve e një barazim, të gjitha miqësore. Historia nisi në 8 shkurt 2000, kur Shqipëria u imponua 1-0 në Rothmans Tournament. Më pas dy fitore të tjera në 27 mars 2003 dhe 17 gusht 2005, në dy miqësore. Në 19 nëntorin e 2008 në transfertë, miqësorja u mbyll 1-1.

FORMACIONI
Sa i përket lojtarëve që do të zbresin sot në fushë, Sylvinho në konferencën për shtyp konfirmoi vetëm se nga minuta e parë do të jetë Jasir Asani. Në këtë pikë, duket e pamundur që edhe të tjerët me pak minuta të mungojnë, duke rreshtuar automatikisht si titullarë Asllanin e Brojën. Për më tepër, braziliani ka ndërmend të provojë formacionin e tij më të mirë, duke qenë miqësorja e fundit para se gjërat të bëhen serioze.

Sylvinho pritet t’i besojë nga minuta e parë Etrit Berishës në portë, që do të jetë edhe titullari në Europian. Berat Gjimshiti, pushoi ndaj Lihtenshtejnit, por kapiteni do ta nisë nga fillimi, duke formuar dyshen titullare me Ardian Ismajlin. Në të majtë është i sigurtë Mitaj, ndërsa në djathtë të mbrojtjes Hysaj mund të humbasë vendin si titullar. Balliu bëri shumë mirë me Lihtenshtejnin, ndërsa Hysaj duket se vuan mungesën e lojës me Lazion dhe gabimet me Kilin.

Titullarët edhe në mesfushë, sepse Sylvinho dëshiron ti shohë në aksion: Ylber Ramadani, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami do të jenë ruajtësit e ekuilibrave. Përpara, Jasir Asani u konfirmua nga teknikun, Taulant Seferi u kthye pasi pushoi me Lihtenshtejnin, ndërsa në majën e sulmit do të jetë Armando Broja.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top