Hungaria është vënë në alarm sigurie pas zbulimit të eksplozivëve pranë tubacionit të gazit TurkStream, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve në vend. Kryeministri Viktor Orbán thirri një mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes, duke e cilësuar incidentin si një komplot në prag të procesit zgjedhor. Sipas autoriteteve, ushtria serbe ka zbuluar dy çanta me eksplozivë dhe detonatorë pranë fshatit Tresnjevac, në afërsi të kufirit me Hungarinë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç konfirmoi se bëhet fjalë për lëndë me fuqi të lartë shpërthyese dhe se për rastin është njoftuar menjëherë qeveria hungareze.
Ngjarja vjen në një moment politik të ndjeshëm, teksa partia në pushtet Fidesz përballet me rënie në sondazhe. Lideri i opozitës Peter Magyar ka akuzuar qeverinë për “nxitje paniku”, duke lënë të kuptohet se incidenti mund të jetë përdorur për qëllime elektorale.