Humbja e pestë radhazi, Guardiola poshtërohet nga tifozët: “Shkarkohet në mëngjes”

Humbja e pestë radhazi, Guardiola poshtërohet nga tifozët: “Shkarkohet në mëngjes”Një makth me sy hapur, diçka që mezi besohet: nuk mund të përshkruhet ndryshe ajo që ndodhi dje – humbja shokuese 4-0 e Manchester City në shtëpi kundër Tottenham – por edhe fakti që kjo goditje e rëndë është tashmë humbja e pestë radhazi për City në të gjitha garat. Një situatë kaq e rrallë që hyn direkt – por nga ana e gabuar e historisë – në librin e karrierës së teknikut Pep Guardiola: asnjëherë më parë 53-vjeçari katalanas nuk kishte pësuar pesë humbje radhazi që kur nisi të stërviste. Në heshtjen e tifozëve të “Etihad Stadium”, ishin ata të Tottenham që bënë zhurmë, duke u tallur hapur me spanjollin Guardiola në fillim të pjesës së dytë – pas golit të tretë të shënuar nga Pedro Porro – me korin ironik: “You’re getting sacked in the morning” (Do të shkarkohesh nesër në mëngjes).

Guardiola nxit sedrën e Citizens: “Do t’ia dalim”
Nga ana e tij, Pep shprehu qëndrueshmëri dhe shpresë – dhe nuk mund të bëjë ndryshe në këtë situatë: “Në këto tetë vite nuk kemi përjetuar kurrë një situatë të tillë. Tani duhet ta përballojmë dhe ta tejkalojmë duke fituar ndeshjet e ardhshme, sidomos atë të radhës. Do të kthehemi. Do t’ia dalim,” tha ai pas ndeshjes, duke u munduar të mbështetet tek krenaria e ekipit. E vërteta është se, po të mos flisnim për Pep Guardiola – njeriun që që prej 2016-ës e ka kthyer Manchester City në një fuqi dominuese, duke fituar gjashtë Premier League, dy FA Cup, katër EFL Cup, tre Community Shield dhe më në fund Champions League, si dhe Superkupën Europiane dhe Kupën e Botës për Klube – fjala “shkarkim” do të ishte e përshtatshme për çdo trajner tjetër.

Tifozët braktisën stadiumin para përfundimit të ndeshjes
Sigurisht, katalanasi do të mbetet në krye të ekipit, veçanërisht pasi sapo ka rinovuar kontratën për dy vite të tjera, pa asnjë klauzolë që t’i mundësojë largimin në rast të rënies nga kategoria për shkak të problemeve financiare të klubit – një shenjë e përkushtimit të tij ndaj City, njëlloj si vlerësimi i pafund i pronarëve nga Emiratet ndaj tij. Gjithsesi, momenti është tejet i vështirë; pjesa më e madhe e tifozëve të Citizens braktisën stadiumin shumë kohë para fishkëllimës së fundit, duke humbur edhe golin e turpshëm të 4-0 të shënuar nga Brennan Johnson në minutën e 93′.

Çfarë ndodh me Pep nëse City bie nga kategoria
Guardiola ia atribuon pjesërisht performancën zhgënjyese të ekipit kthimit të vonuar të lojtarëve të tij nga pushimi i kombëtareve. Megjithatë, ai pranoi se ekipi duhet të rikuperojë shpejt për ndeshjen e Champions League të së martës mbrëma kundër Feyenoord, që paraprin përballjen vendimtare në kampionat kundër kryesuesve të Liverpool të dielën e ardhshme. Reds janë pesë pikë përpara në renditje, me një ndeshje më shumë për të luajtur kundër Southampton sot. Një humbje në “Anfield” do të shënonte fundin e shpresave të City për titullin kampion që në muajin nëntor – diçka e paprecedentë në epokën Guardiola.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top