Media në Shqipëri është në zi për shkak të humbjes së parakohshme të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji. Zheji ndodhej me familjarët në Sarandë, kur ka pësuar komplikime me shëndetin. Edhe pse ka marrë ndihmën e shpejtë, Zheji ka ndërruar jetë në ambulancë.
Artur Zheji i lindur më 29 gusht 1961 ishte gazetar, publicist dhe analist shqiptar. Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.
Zheji ishte angazhuar për dekada në fushën e gazetarisë dhe publicistikës në Shqipëri, duke u bërë një nga figurat më të spikatura të medias shqiptare pas viteve ’90. Ai ka mbajtur postin e drejtorit të gazetës “MAPO”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në shtypin e shkruar. Po ashtu, Zheji ka punuar për vite me radhë si gazetar në radion italiane Radicale, duke mbuluar rajonin e Ballkanit.
Në vitet e krizës së Kosovës (1999), si analist në televizionin “Arbëria”, ai analizoi për muaj të tërë zhvillimet që çuan në çlirimin e Kosovës, duke fituar një audiencë të madhe. Nga viti 2002 deri në 2006 mbajti postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik Shqiptar (RTSH). Për më shumë se tri dekada, Artur Zheji u shqua si gazetar, analist, publicist, por edhe si një zë kritik dhe i pavarur në debatin publik shqiptar. Që nga viti 2017, ai drejtonte emisionin politik dhe analitik ‘360 Gradë’.