Më 26 prill 1986 ndodhi katastrofa më e madhe bërthamore e regjistruar ndonjëherë. U mbushën plot 38 vjet nga ajo ditë, por shenja e Çernobilit është gdhendur thellë në memorien e njerëzimit.
Çernobili, një qytet i vogël në Ukrainën veriore (atëherë Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës), por veçanërisht qyteti i Pripyat që ndodhet 15 km larg, u zgjodh në vitin 1972 për të pritur termocentralin e parë bërthamor të Bashkimit Sovjetik. Termocentrali bërthamor “Vladimir Ilyich Lenin”, i njohur edhe si “Çernobil”, u bë funksional në vitin 1977, por disa vite më vonë ai do të bëhej sinonim i frikës dhe shkatërrimit pasi aty ndodhi aksidenti më i keq bërthamor në botë.
Në ambientet e uzinës kishte 4 reaktorë bërthamorë. Natën e së shtunës, 26 prill 1986, reaktori nr. 4 shpërtheu, duke lëshuar sasi masive radioaktiviteti në atmosferë. Dy shpërthime të njëpasnjëshme u shkaktuan gjatë një prove të kryer atë natë fatale nga operatorët e reaktorit bërthamor për të kontrolluar nëse sistemi i ftohjes do të funksiononte në rast të ndërprerjes së detyruar të energjisë elektrike.
Aksidenti renditet në krye të listës së ngjarjeve Ndërkombëtare Bërthamore, pasi sasia e radioaktivitetit të lëshuar vlerësohet të ketë qenë gati 200 herë më e madhe se radioaktiviteti i lëshuar nga dy bombat atomike të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki së bashku.
Mëngjesin e 28 prillit, sensorët në termocentralin bërthamor Forsmark në Suedi, i vendosur më shumë se 1000 km larg uzinës së Çernobilit, regjistruan nivele të radioaktivitetit që alarmuan stafin e uzinës. Punonjësit në Forsmark raportuan incidentin tek Autoriteti Suedez i Mbrojtjes nga Rrezatimi, i cili përcaktoi se rrezatimi vinte nga një burim jashtë termocentralit.
Në të njëjtën ditë, qeveria suedeze kontaktoi qeverinë sovjetike, e cila mohoi se kishte ndodhur ndonjë gjë dhe vetëm kur qeveria suedeze tregoi se do të paraqiste një paralajmërim zyrtar në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ajo pranoi se një aksident kishte ndodhur në Çernobil.
Një re radioaktive “mbuloi” vendet fqinje dhe u përhap pothuajse në të gjithë kontinentin evropian. Shiu radioaktiv arriti deri në Irlandë, ndërsa Ukraina, Bjellorusia dhe Rusia ishin vendet më të prekura, duke thithur 63% të ndotjes nga aksidenti. Qyteti më i afërt i Pripyat u evakuua 2 ditë pas katastrofës, me banorët e tij tashmë të ekspozuar ndaj niveleve shumë të larta të rrezatimit. Të nesërmen, në orën 11:00, autobusët mbërritën në Pripyat për të larguar njerëzit. Evakuimi filloi në orën 14:00.
Ky është një fragment i përkthyer i njoftimit të evakuimit: “Kujdes banorë të Pripyatit! Këshilli Bashkiak ju bën me dije se për shkak të aksidentit në termocentralin e Çernobilit në qytetin e Pripyatit, kushtet e radioaktivitetit në zonë po përkeqësohen. Partia Komuniste, zyrtarët e saj dhe forcat e armatosura po marrin masat e nevojshme për të përballuar situatën.
Megjithatë, për t’i mbajtur njerëzit sa më të sigurt dhe të shëndetshëm, me fëmijët që janë prioriteti i parë, ne duhet të evakuojmë përkohësisht qytetarët në qytetet më të afërta në rajonin e Kievit. Për këto arsye, nga data 27 prill 1986 në orën 14, çdo pallat do të ketë në dispozicion një autobus, nën mbikëqyrjen e policisë dhe autoriteteve të qytetit. Rekomandohet të mbani dokumentet tuaja, disa sende personale jetësore dhe një sasi të caktuar ushqimi, për çdo rast.
Zyrtarë të lartë të objekteve publike dhe industriale të qytetit kanë vendosur për listën e punëtorëve që duhet të qëndrojnë në Pripyat për të mbajtur objektet (bërthamore) në gjendje të mirë pune. Të gjitha shtëpitë do të ruhen nga policia gjatë periudhës së evakuimit.
Shokë, ndërsa dilni përkohësisht nga shtëpitë, sigurohuni që të fikni dritat, pajisjet elektrike dhe ujin dhe të mbyllni dritaret. Ju lutemi ruani qetësinë dhe rendin në procesin e këtij evakuimi të koordinuar”.
Për sa u përket vdekjeve të menjëhershme që i atribuohen aksidentit, katastrofa bërthamore e Çernobilit rezultoi të ishte çdo gjë tjetër veçse një forcë jashtëzakonisht shkatërruese. Teksa bombardimet në Hiroshima dhe Nagasaki shkaktuan pothuajse 200 mijë viktima direkte (mbi 100 mijë të vdekur dhe po aq të plagosur), shpërthimi i Çernobilit shkaktoi 2 vdekje direkte dhe 29 vdekje nga ekspozimi akut ndaj rrezatimit gjatë 3 muajve të ardhshëm.
Në total, 237 persona u transportuan nga Çernobili në Moskë dhe u trajtuan në një klinikë speciale. Prej tyre, 134 shfaqën simptoma të sindromës akute të rrezatimit. Gjithsej 50 njerëz vdiqën nga sindroma akute e rrezatimit dhe rreth 4000 të tjerë vdiqën në të ardhmen nga shkaqe që lidhen me ekspozimin ndaj rrezatimit.
Numri përfundimtar i vdekjeve në Çernobil, është i vështirë për t’u vlerësuar, por rezulton të jetë dukshëm më i lartë. Vlerësimet aktuale e vendosin atë nga 4000 vdekje sipas Kombeve të Bashkuara dhe 90 000 që raporton Greenpeace International.
Në Ukrainë, në 5 vitet e para pas katastrofës, rastet e kancerit tek fëmijët u rritën me më shumë se 90%. Gjatë 20 viteve të para pas aksidenti rreth 5 000 raste të kancerit të tiroides u regjistruan në Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi në njerëz që ishin më të rinj se 18 vjeç në ditën e shpërthimit bërthamor. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 5000 vdekje nga kanceri janë të lidhura me aksidentin e Çernobilit, por kjo shifër shpesh kontestohet nga ekspertë të pavarur.
Në Ukrainë në vitin 2005, 19 mijë familje morën ndihmë shtetërore për shkak të humbjes së një anëtari të familjes, vdekja e të cilit lidhej me aksidentin e Çernobilit. Fatkeqësia shkaktoi dëme gjenetike edhe te njerëzit e lindur pas shpërthimit.
Shkencëtarët janë veçanërisht të shqetësuar për rastet e paqëndrueshmërisë së mikrosatelitit (MSI), një gjendje që ndikon në aftësinë e ADN-së për të kopjuar dhe riparuar vetveten, e cila është zbuluar te fëmijët, prindërit e të cilëve u ekspozuan ndaj rrezatimit pas aksidentit.
Para pushtimit rus të Ukrainës, qyteti i Pripyat mund të vizitohej pasi ishte kthyer në një muze të hapur. Agjencitë e udhëtimit organizonin udhëtime ditore në qytetin që dikur ishte shtëpia e 49 000 banorëve. Mbetjet e pranisë njerëzore mbeten si një kujtesë e zymtë e tragjedisë që ndodhi atje.
Reaktori 4 është mbuluar me thasë që përmbajnë rërë, plumb dhe acid borik. Helikopterët hodhën 5000 tonë materiale në javën pas aksidentit. Në dhjetor 1986, u ndërtua një sarkofag i madh betoni për të vulosur reaktorin. Centrali bërthamor vazhdoi të funksionojë deri në muajt e parë të pushtimit rus në shkurt 2022, pavarësisht bombardimeve. Funksionimi i tij u pezullua në shtator 2023.