U hodh këtë të premte shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2024-2025. Katër skuadrat që kanë siguruar një vend në këtë fazë janë Partizani, Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo City. Sidoqoftë nuk do të ketë një derbi kryeqytetas në këtë fazë të kompeticionit, por shorti ka vënë përballë Vllazninë e Dinamon e, në sfidën tjetër, Egnatian e Partizanin.
Në shortin e hedhur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ishte i pranishëm Drejtori i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, si edhe përfaqësuesit e klubeve dhe përfaqësues të mediave. Shorti përcaktoi dy çiftet gjysmëfinaliste: Vllaznia – Dinamo City dhe Egnatia – Partizani. Shkodranët do të luajnë ndeshjen e parë në Loro Boriçi, ku pak ditë më parë barazuan me blutë për kampionat.
LUHET NË 2 DHE 23 PRILL
Në Egnatia Arena do të luhet edhe sfida e parë mes finalistëve të vjetshëm të Final 4. Kampionët në fuqi, Egnatia do të presë Partizanin, që pikëisht dy javë më parë e mposhti 2-0 në Rrogozhinë. Tetova shpreson të përsërisë arritjen, për ta pasur më të thjeshtë në kthim në Arenën e Demave.
Ndeshjet e kësaj faze, ku do të përcaktohen edhe finalistët e këtij edicioni janë planifikuar të luhen në datat 2 prill dhe 23 prill, ndërkohë që finalja e madhe do të luhet më datën 1 maj.
Përcaktohen gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë ⚽#kupaeshqiperise #gjysmefinalet #futboll #fshf pic.twitter.com/uRaXqayj85
— FSHF (@FSHForg) March 7, 2025