(Harta) Policia bllokon gjysmën e Tiranës për koncertin e Kanye West

Pasi mori 4 milionë euro nga paratë e shqiptarëve për të garantuar mbushjen e koncertit të Kanye West, Edi Rama duket i vendosur që eventi të bëhet me çdo kusht. Tani, përveç parave publike, në funksion të koncertit po vihet edhe qarkullimi i kryeqytetit dhe një pjesë e aksit Tiranë–Durrës.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar se, në kuadër të aktivitetit muzikor “YE”, që do të zhvillohet më 11 korrik 2026 në zonën e Kasharit, do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore të Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 07:00 deri në orën 24:00 do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës Durrës–Tiranë, nga zona e “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet që operojnë në zonë.

Po në të njëjtin interval kohor, do të bllokohet edhe korsia e daljes së autostradës Durrës–Tiranë në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.

Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në orën 24:00, nuk do të lejohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”, si dhe në segmentin “Rruga Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.

Policia bën me dije se edhe në aksin nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e zhvillimit të sigurt të aktivitetit.

Gjatë orareve të kufizimeve, akses në zonat e bllokuara do të kenë vetëm automjetet e emergjencës dhe mjetet e Policisë së Shtetit.

Koncerti vjen në një moment kur protesta kundër Ramës ka hyrë në ditën e saj të 40-të. Për kryeministrin, zhvillimi i këtij eventi duket se është kthyer në një provë politike: të tregojë se “jeta vazhdon”, pavarësisht revoltës qytetare që prej javësh kërkon dorëheqjen e tij.

Në vend që koncerti të ishte thjesht një aktivitet privat, ai tashmë është kthyer në një operacion publik: me miliona euro nga taksapaguesit, me rrugë të bllokuara, me autostradë të kufizuar dhe me Policinë e Shtetit në dispozicion të një eventi që Rama kërkon ta mbajë gjallë me çdo kusht.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top