Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka vlerësuar procesin zgjedhor të suksesshëm dhe demokratik, raporton Ekonomia Online. “Jam i lumtur që mund të konstatoj se Kosova ka pasur një proces të suksesshëm zgjedhor,” – u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se, sipas të dhënave të mbledhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Aleanca ka arritur rezultate të larta në disa komuna të vendit, duke e cilësuar këtë si një “fitore historike”.
“Po ashtu dëshiroj t’ju informoj se, në bazë të informatave që kemi nga KQZ, Aleanca ka zhvilluar një fitore historike për faktin se ka një fitore më bindëse. Në Suharekë kemi fitore bindëse, në Rahovec, në Gjakovë, në Deçan, në Klinë, dhe po ashtu ekziston mundësia që gara të luhet në raundin e dytë,” tha ai.
Haradinaj theksoi se AAK-ja ka garuar në 25 komuna për kryetarë dhe në 28 komuna për asamble komunale, duke theksuar se partia ka shënuar rritje të numrit të asamblistëve.Ai falënderoi komisionerët, vëzhguesit dhe qytetarët që e mbështetën partinë në këtë proces.
“Dëshiroj t’i falënderoj komisionerët dhe vëzhguesit dhe i ftoj të gjithë që të vazhdojnë këtë proces kaq të mirë. Faleminderit të gjithëve që na kanë votuar,” përfundoi Haradinaj. /Ekonomia Online
 
				 
								 
															