Ka kaluar më shumë se një muaj që kur Lewis Hamilton u largua nga Mercedes për t’u bërë zyrtarisht pilot i Ferrarit, në atë që tashmë është quajtur si “transferimi i shekullit” në Formula 1. Britaniku po përjeton një fillim idilik me skuadrën nga Maranello, tifozët, stafin dhe gjithçka që lidhet me “Kërcimin e Kalit”, por nuk ka harruar të gjithë ata njerëz që në 12 vite bashkëpunim me skuadrën gjermane e ndihmuan të bëhej piloti më i suksesshëm në historinë e F1.
Vetëm tani, pasi secili prej tyre ka marrë dhuratën e tij, është zbuluar gjesti i fundit i dashurisë që kampioni shtatë herë i botës ka bërë për Mercedesin. 40-vjeçari nga Stevenage ka dërguar një dhuratë për secilin nga 3,000 punonjësit e ekipit të Formula 1 të prodhuesit gjerman të makinave.
Një vepër arti e Paul Oz
Para largimit të tij, Hamilton kishte porositur një vepër arti të veçantë për të gjithë ish-kolegët e tij. Ai i kishte kërkuar piktorit dhe skulptorit të njohur britanik, Paul Oz (i famshëm për veprat e tij me tematikë Formula 1), të krijonte një pikturë me vaj që përshkruante makinën e tij gjatë Çmimit të Madh të Monakos 2019. Ishte një garë që Hamilton e fitoi si homazh për legjendën Niki Lauda, i cili kishte ndërruar jetë vetëm gjashtë ditë më parë. Piktura origjinale u dhurua për selinë e Mercedesit në Brackley, ndërsa u bënë 3,000 kopje, në mënyrë që çdo anëtar i ekipit gjerman të kishte një.
Lajmi u zbulua nga vetë artisti britanik: “Tani që lajmi është bërë publik dhe të gjithë 3,000 punonjësit e Mercedes GP kanë marrë printimet, mund të flas për të. Detyra ime e vetme ishte të përqendrohesha te makina dhe jo te Lewis, ndaj vendosa të pikturoja një imazh nga Monako 2019. Ishte një garë e zhvilluar vetëm disa ditë pas ndarjes nga jeta të Niki Laudës, dhe ekipi vendosi që Hamilton të garonte me një halo të kuq për ta kujtuar atë. Lewis siguroi pole position dhe më pas dominoi garën,” shkroi Paul Oz në një postim në Instagram, i cili më pas u fshi, por në atë kohë lajmi ishte bërë tashmë viral.