Partizani kundër Tiranës, në derbin kryeqytetas, që merr gjithë vëmendjen e kampionatit, në vigjilje të javës së 24 të tij. Në fakt, e veçanta e kësaj jave të Superiores është fakti që katër skuadrat e zonës Final Four përplasen me njëra-tjetrën. E njëjta gjë ndodh edhe me katër skuadrat që mbyllin renditjen, duke i bërë shumë me peshë rezultatet që do të prodhojnë sfidat.
Sfida mbijetesë do të luhet mes Teutës e Kukësit në Niko Dovana dhe është e para që ngre siparin e javës. Dy skuadrat ndahen vetëm nga dy pikë dhe zona e shpëtimit për momentin është 5 pikë larg. Të premten në orën 16 për Edi Martinin e Emiljano Çelën gabimet nuk lejohen.
Partizani, i dyti, në shoqërinë e Vllaznisë, pret po të premten, por në orën 19 bardheblutë e vendit të katërt që ndjejnë rrezikun e Dinamos. Një ndeshje që për të dy formacionet, përvec krenarisë së zotërimit të kryeqytetit, shihet edhe si një pikë kthese për të ndryshuar trendin e rezultateve zhgënjyese të këtij fillim-viti. Shehi kundër Ahmatajt, si për t’i shtuar më tepër djegës derbit më të nxehtë në vend, me 46 vjecarin e Partizanit, për herë të parë kundërshtar me ish-skuadrën e tij, nga ku u zëvendësua pikërisht nga elbasanasi.
SUPERIORE, JAVA E XXIV
16/02/24
Teuta 16 : 00 Kukësi
Partizani 19 : 00 Tirana
17/02/24
Laçi 13 : 30 Dinamo
Erzeni 13 : 30 Skënderbeu
Vllaznia 17 : 00 Egnatia
Në Loro Boriçi, të shtunën, Vllaznia do të presë kryesuesit e Egnatias, si një demostrim force, me shpresën për të parakaluar Partizanin, por edhe për të ngushtuar hendekun prej 11 pikësh që i ndan me rrogozhinasit. Të interesuar për këtë sfidë janë edhe Laçi e Dinamo, dy ekipe që aspirojnë të përfshihen në garën për një vend në katërshe, por që duhet të bëjnë llogaritë fillimisht në ndeshjen mes tyre. Josa sapo ka ndalur Egnatian në shtëpinë e kryesuesve, ndërsa Mehmeti ka shijuar fitoren e parë në një derbi këtë sezon, duke mundur kampionët në fuqi të Partizanit, kështu që morali është në majë për të dy.
Ndeshje për të mos u humbur ndërkohë ajo mes Erzenit e Skënderbeut, me shijakasit e Bejzades që nuk duan të humbasin kontaktin me zonën e shpëtimit, për momentin 5 pikë larg. I kundërt misioni i Gvozdenovic, që me një fitore do të kishte shumë siguri.