Raheem Sterling ka përjetuar momente të mëdha frike të shtunën e kaluar, në periferi të Londrës. Sulmuesi i Chelsea, i kthyer gjatë verës nga huazimi te Arsenal, ishte viktimë e një tentative grabitjeje me thyerje ndërsa ndodhej në shtëpi me gruan dhe fëmijët. Sipas asaj që raporton “The Telegraph”, një grup burrash me maska do të kishte tentuar të futej në banesën e tij rreth orës 18:30, pak para ndeshjes së Premier League midis Chelsea dhe Wolverhampton.
Të habitur nga prania e futbollistit dhe e familjes, hajdutët më pas u larguan pa marrë asgjë. Një zëdhënës i Sterling ka konfirmuar ngjarjen, duke theksuar se episodi përbën “një shkelje të rëndë të privatësisë dhe sigurisë”, por duke siguruar se askush nuk është lënduar.
Megjithatë, tashmë është konfirmuar për “Daily Mail Sport” se futbollisti anglez është përpjekur të mbrojë veten dhe fëmijët e tij gjatë përvojës së tmerrshme, duke u përballur me burrat me maska me një thikë.
Hajdutë me maska tentojnë grabitjen
Policia e luginës së Tamizit ka hapur një hetim dhe ka bërë thirrje për dëshmitarë të mundshëm, ndërsa Chelsea ka shprehur mbështetje të plotë për lojtarin e vet. Sterling, i cili ende nuk ka debutuar këtë sezon nën drejtimin e Enzo Maresca, vazhdon të stërvitet veçmas në qendrën stërvitore të klubit.
Duket se autorët e hyrjes me forcë nuk kanë arritur të ikin me sende me vlerë, sepse ishin befasuar nga fakti që shtëpia nuk ishte bosh.
Precedentët
Nuk është hera e parë që sulmuesi anglez përjeton një përvojë të ngjashme: gjatë Botërorit 2022 në Katar ai kishte pësuar tashmë një grabitje në banesën e tij, ngjarje që e kishte detyruar të largohej përkohësisht nga grumbullimi i kombëtares. Në atë rast, kur nga prona e Sterling u vodhën bizhuteri dhe orë me një vlerë të vlerësuar prej 300.000 paundësh, tre burra u identifikuan më pas si të dyshuar për një sërë grabitjesh në zonë.