Çfarë ha Erling Haaland? Sulmuesi norvegjez i Manchester City ndjek një dietë të veçantë. Në kanalin e tij të ri në YouTube ai ka çuar shikuesit pas kuintave, duke u lejuar të ndjekin një ditë të plotë të jetës së tij, përfshirë edhe momentet kur është në tryezë për drekë apo darkë. Mes një stërvitjeje dhe një seance fizioterapie, nuk mungon pasioni i tij për kuzhinën dhe ushqimin: “Unë jetoj për të ngrënë, e dua ushqimin dhe s’ka rëndësi çfarë ndodh gjatë ditës, ky mbetet momenti më i mirë.”
Bomberi i Manchester City e tregon veten duke nisur nga mëngjesi, e deri te darka me të dashurën e tij, Isabel Haugseng. Ndërsa ajo merret me përgatitjen e garniturës dhe salcave, atij i takon detyra të ndezë barbekjun dhe të kujdeset për përgatitjen e mishit që ai e ha rreptësisht me duar, një gjë e zakonshme për të, siç e zbulon vetë para kamerave. Sekretet e suksesit të Haaland duken të shumta: banjat me akull të alternuara me seanca në sauna, terapia me dritë infra të kuqe për rigjenerimin optimal të trupit dhe dieta e tij.
Dieta e Haaland: adhurues i kafesë dhe mishit “të yndyrshëm”
Frymëzimi vjen nga natyra; prej saj norvegjezi merr shembull për përkufizimin e tij të “super ushqimeve”. Për të, mëngjesi nis me dy vezë, bukë me tharm natyral dhe kafe: “Është një super ushqim, nëse e përgatit mirë dhe e pi në momentin e duhur. Shtoj qumësht të papërpunuar dhe shurup panje; këto ndihmojnë në mbrojtjen e kafeinës me yndyra dhe sheqer (duke e bërë që të zgjasë më shumë). Edhe qumështi i papërpunuar është i shkëlqyer, bën mirë për stomakun, kockat dhe mban trupin në formë,” – rrëfen ai duke parë drejt kamerës.
Për sulmuesin e City ky është mënyra më e mirë për ta nisur ditën; nëse shijohet në natyrë, aq më mirë, për të marrë ajër të pastër dhe rreze dielli. Mënyra ideale për të patur energjinë e duhur për të përballuar ditën.
Por norvegjezi nuk ushqehet vetëm me kafe e vezë; një sasi e mirë energjie vjen nga konsumimi i madh i mishit. Edhe në këtë rast, ai kënaqet duke e përgatitur dhe gatuar vetë – një zakon që e ka që nga përvoja e parë kur jetoi vetëm, në moshën 16-vjeçare. Aty mësoi të kujdesej për veten dhe të kryente punët e shtëpisë, por ndër të gjitha, qëndrimi në kuzhinë duket të jetë i preferuari i tij.
Sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjen dhe përgatitjen e mishit: në video, Haaland nuk trembet nga moti i keq dhe merr komandën e barbekjusë. Biftekët Tomahawk, të përgatitur me marinadë ose pa të, të pjekur mirë nga jashtë, por rozë brenda, shoqërohen me salcën e përgatitur nga e dashura dhe me patate të pjekura në furrë. Gjykimi nga komentet pozitive të Isabelit tregon se, përveçse e dërgon topin në rrjetë, Haaland mund të ketë një të ardhme në botën e mishit.

Blerje e madhe në fermën lokale për Haaland
Para se të hyjë në kuzhinë, Haaland kujdeset personalisht për të zgjedhur ushqimet e tij. Norvegjezi duket se i kushton shumë rëndësi cilësisë së dietës. Prandaj, përpara stërvitjes me Reijnders dhe shokët në qendrën e Manchester City, ai hipën në makinë dhe shkon deri te ferma në Cheshire. Aty është tashmë klient besnik dhe zgjedh vetë copat e mishit që e frymëzojnë më shumë.
Nga Ribeye te Tomahawk, e deri te filetoja: “E dua mishin e yndyrshëm,” – pranon ai me buzëqeshje. Ai e njeh mirë Helen dhe fermën e saj: “Duhet të të bëjmë të mjelësh një lopë,” – i thotë ajo. “Do të ishte një gjë që duhet provuar,” – i përgjigjet sulmuesi i City, krenar për “kapjen” e tij të pasur me mish, qumësht të papërpunuar dhe mjaltë artizanal.