Bashkitë në vend kanë arkëtuar afro 5.3 miliardë lekë apo 53 milionë euro nga taksa e pasurive të paluajtshme këtë vit.
Shifra është më e larta e mbledhur gjatë dekadës së fundit, ku në raport me vitin 2015, të ardhurat nga kjo taksë janë dyfishuar, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar rritja është 3.5%.
Nevoja për më shumë të ardhura dhe domosdoshmëria për të shlyer stokun e detyrimeve të prapambetura, i ka bërë që bashkitë t’i japin më shumë vëmendje vjeljes së taksës mbi ndërtesat, ndonëse ende nuk ka nisur aplikimi i saj sipas vlerës së tregut.
Ndikim në këtë perfomancë ka pasur rritja e sipërfaqeve ndërtimore, ndërsa peshën më të madhe në mbledhjen e kësaj takse e ka Bashkia Tiranë.
Qeveria parashikon që të mbledhë afro 20 milionë euro shtesë nga taksa e pasurisë në vitin 2025, të cilat do të gjenerohen për shkak të bërjes funksionale të kadastrës fiskale përgjatë këtij viti.
Ndërkohë, kujtojmë se numri i pronave të taksueshme në Shqipëri është 797 mijë, nga të cilat 412 mijë disponojnë informacion të plotë në kadastër.