Fredy Guarín e përfundoi karrierën e tij si futbollist në vitin 2021, pas përfundimit të kontratës me Millonarios. Ekipi kolumbian ishte i fundit ku luajti mesfushori, i njohur dhe i vlerësuar në Itali me fanellën e Interit. Me zikaltrit, Guarín zhvilloi 141 ndeshje, duke shënuar 22 gola dhe dhënë 38 asiste nga viti 2011 deri në 2016. Por çfarë ndodhi me Guarín pas largimit nga Interi? Përpara se të rikthehej në Kolumbi dhe të mbyllte karrierën në atdhe, ai luajti me Shanghai Shenhua në Kinë dhe me Vasco da Gama në Brazil. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, diçka nuk po shkonte mirë.
Guarín tek Interi për katër vite (2012–2016)
Problemet e tij nuk ishin aq në fushë, sa jashtë saj. Në vitin 2021, ai pati një konflikt të ashpër me të atin që përfundoi me një përleshje dhe arrestim nga policia. Pas këtij episodi, ai postoi në rrjetet sociale një mesazh ndihme, duke treguar hapur për problemet e tij personale, sidomos lidhur me abuzimin me alkoolin. Ai e përshkroi gjendjen e tij të rënduar si një moment errësire totale në jetë: “Lotët që shihni në foto janë ato të një burri të mbushur me vese, gabime, mëkate dhe shumë gjëra të tjera.”
Së fundmi, në një intervistë për “Los Informantes” të televizionit Caracol, Guarín rrëfeu: “Në mendjen time ishte vdekja, e dija që po shkoja drejt fundit.”
Rrëfimi për betejën me alkoolin
Guarín foli hapur për jetën e tij gjatë viteve kur ishte në majat e futbollit botëror, teksa luante me Interin. “Pija në shtëpi, në diskoteka dhe restorante. Ishte një m***, e dija që po dështoja si në punë, ashtu edhe me familjen time. Flija, stërvitesha dhe pija – çdo ditë e njëjta gjë,” shpjegoi Guarín, duke shtuar: “Më thanë se duhej të largohesha nga Milano. E ndjeja që nuk kisha më kufij.” Kështu, në vitin 2016, kontrata e tij me Interin përfundoi dhe ai u transferua në Shanghai Shenhua.
Por problemet me alkoolin e ndoqën edhe në Kinë. “Në Kinë solla 16 persona që të krijoja grupin tim,” tregon ai. “Nuk kisha ide për paratë, fitoja shumë dhe i shpenzoja pa menduar – net, festa, jahte, avionë, i shpërndaja paratë.”