Koha e përgatitjeve mbaroi. Ashtu si ajo e njohjes, nga Zoran Zekic, e lojtarëve që ka në dispozicion për përballjen e dyfishtë në raundin e parë të Champions kundër BATE Borisov. Tekniku kroat, mes lojtarëve që gjeti e atyre që erdhën në dritaren e merkatos, ka krijuar idenë për tu përballur me bjellorusët. Natyrisht koha në dispozicion nuk është shumë e madhe dhe për këtë edhe ndryshimet e Zekic nuk do të jenë të tilla.
Me ndonjë dualitet, apo edhe reflektim në bazë të gjendjes fizike, kroati duket besnik në 4-3-3 ose edhe 4-2-3-1, që në tabelën e tij të shahut nuk do të ndryshojë shumë. Për portën ardhja e Qirkos, me blerjen përfundimtare, nuk është se garanton vendin si titullar. Alban Hoxha, simbol i eksperiencës së ndeshjeve të tilla. Prapavija është ajo që duket se nuk do të ndryshojë. Buxhelaj, Sota, Telushi i rikonfirmuar në prapavijë e Hadroji duken të sigurtë. Edhe pse Atanaskoski mund të preferohet në aspektin difensiv, duke qenë më mbrojtës se Buxhelaj.
Mesfusha është ajo që reflekton më shumë ndryshim dhe ka edhe dilemat më të mëdha, për shkak të zgjedhjeve të shumta. Rrapaj është i sigurtë, rikuperoi Mehmeti, ndërsa Taipi e Murataj duken në rivalitet për një vend si titullar. Zgjedhjet janë të qarta përpara, ku tridhëmbëshi është ai Da Silva-Mba-Cara. Nuk ka ende gjendejn e duhur fizike Grezda, që mund të përdoret me ndeshjen në zhvillim. Të kuqtë janë të kompletuar dhe do të mundohen të shfrytëzojnë në maksimum faktorin fushë. Kjo duke qenë se BATE kthimin do ta luajë në fushë asnjëanëse në Hungari.
RISIA E NDESHJES E ARBITRAT
Në këtë përballje, UEFA ka vendosur që të përdoret sistemi VAR, ndryshe nga edicionet e tjera. Tanimë teknologjia që i vjen në ndihmë arbitrave do përdoret që në raundin e parë kualifikues në Champions. Një risi, duke qenë se vitet e tjera VAR përdorej në raundin e tretë dhe ndeshjet e play-off.
Në “Air Albania” gjykon belgu Nathan Verboomen. Ndihmës të tij do të jenë bashkëkombasit Hillart, Uyns dhe De Cramer. Në VAR do jetë Thibaut Nijssen dhe ndihmës i tij Jan Boterberg.