Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 18 të bashkëpandehurve të tjerë në Gjykatën e Posaçme është shtyrë. Shkaka e shtyerjes së seancës u bë mungesa e avokatëve Maks Haxhia, Dritan Jahaj, Aranit Rroshi dhe Artit Cami. Për këtë arsye, prokurori i posaçëm Ols Dado kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se në këto kushte procesi nuk mund të zhvillohet normalisht. GJKKO pranoi kërkesën, shtyu seancën dhe vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn.
Gjatë seancës, vëmendjen e ka marrë edhe një kërkesë e avokatit të Veliajt, Plarent Ndreca, i cili ka pretenduar përpara togave të zeza se mbrojtjes nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikuj të dosjes hetimore. Lidhur me këtë pretendim, trupa gjykuese ka sqaruar se fashikujt që mungojnë në këtë fazë lidhen specifikisht me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë dosje voluminoze.
Gjykata argumentoi se kjo kërkesë e avokatit Ndreca nuk mund të trajtohet si një kërkesë për të zbatuar vendimin e një gjykate tjetër, por thjesht si një kërkesë legjitime e palës mbrojtëse. Gjithashtu, trupa gjykuese ka theksuar se Veliajt nuk i është cenuar e drejta e mbrojtjes në asnjë moment deri në këtë fazë të procesit. Megjithatë, për të garantuar transparencë të plotë dhe një proces të rregullt ligjor, gjykata ka vendosur që t’i vëri zyrtarisht në dispozicion Veliajt dhe mbrojtjes së tij të 24 fashikujt që mungonin, përpara seancës së radhës.