Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar seanca në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në gjykatore ka dalë për të dytën ditë me radhë dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Ai ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private apo me përmbajtje të redaktuar, përjashtuar disa pjesë kur seanca është hapur për publikun.

Aty, dëshmitari i cili mban kodin 3165 ka deklaruar se i është bashkuar UÇK-së në korrik të vitit 1998. Ai pretendon se disa persona i kishin marrë familjarët e tij, gjë të cilën dëshmitari e ka thënë në pjesën e seancës së hapur.

ZPS e ka përfunduar intervistimin e tij ndërsa ai ka filluar të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

Të mërkurën, Trupi Gjykues ka urdhëruar palët që dorëzojnë parashtrimet e tyre, jo më vonë se data 31 maj, për të treguar hapat konkret që mund të ndermirën për të siguruar një shkallë më të lartë të publicitetit të këtij procesi gjyqësor.

“Në Urdhrin mbi Zhvillimin e Gjykimit, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët bëri të qartë se ‘argumentet ligjore dhe paraqitja e provave nga palët dhe pjesëmarrësit do të bëhet në seanca të mbyllura ose private vetëm kur të jetë absolutisht e domosdoshme”, ka thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle.
Në këtë proces gjyqësor, të mërkurën ka filluar intervistimi i dëshmitarit të pestë të ZPS-së, ndërsa para tij kanë dëshmuar katër të tjerë, të gjithë nën masa mbrojtëse dhe në seanca të mbyllura për publikun.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të vazhdojë nga e hëna deri të mërkurën e javës së ardhshme.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

/KosovaPress/

 

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top